Me qindra persona po marrin pjesë në homazhet në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare një ditë më parë.
Deputetë, ish-deputetë, ministra dhe ish-ministra ngushëlluan familjarët e politikanit.
Mes ministrave që shkuan për ngushëllime ishin Ogerta Manastirliu, Bledi Çuçi dhe Petrit Malaj.
Ndërkohë kreu i Grupit të PS-së, Niko Peleshi u shpreh se Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 44-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak, ishte një djalë i shkëlqyer dhe politikan model.
Për mediat, kreu i Grupit të PS, theksoi se ish-deputeti i ndjerë fdo t’i mungojë politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për t’u ndjekur.
Niko Peleshi: Ikja në një moshë kaq të re, është gjithmonë e dhimbshme për këdo, edhe për njerëz që i njeh apo nuk i njeh, për më tepër që këtu bëhet fjalë për një djalë të mirë, të shkëlqyer, të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe një qytetar shembullor.
Kështu që dhimbja shumëfishohet, kështu që dua ti bashkohem të gjithë ngushëllimeve e dhimbjes që gjithkush e ndjen sot, edhe dhimbjen e kolegëve tanë të grupit të deputetëve të PS që janë sot këtu për të përcjellë mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera, që do ti mungojë padyshim, miqve, familjes por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për t’u ndjekur. Kjo është jeta dhe mbase këto momente duhet të na bëjnë më të mirë.
Lini një Përgjigje