TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shtator 2024, 14:21

Presidentja e KE bën bashkë liderët e Ballkanit, drekë pune me Ramën, Kurtin dhe Vuçiç

Shkruar nga Pamfleti
Presidentja e KE bën bashkë liderët e Ballkanit, drekë pune
Presidentja e Komisionit Europian me liderët e Ballkanit

Presidentja e Komisionit Europian ka pritur gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel sot.

Faqja zyrtare e BE-së ka publikuar fotografinë e përbashkët të tyre dhe disa nga pritja që von der Leyen iu bëri liderëve ballkanikë.

Në takim temat kryesore u tha se ishin “agjenda e reformave dhe rritjes”. 

Në këtë takim morën pjesë kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Serbia u përfaqësua me presidentin e saj.

Sipas burimeve në Komisionin Evropian, takimi i Von der Leyen me liderët e Ballkanit ishte informues lidhur me qëllimet dhe misionin që do të ketë KE-ja në pesë vjetët e ardhshëm, sa do të zgjasë mandati i saj i dytë në krye të këtij institucioni.

Von der Leyen ka caktuar kandidaten nga Sllovenia, Marta Kos, si komisionare për Zgjerim, që do të thotë se ajo do të merret edhe me raportet me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen me këtë takim po ashtu dëshmoi se edhe në mandatin e ri do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Në takim u diskutua edhe për “agjendën e reformave dhe rritjes”, të cilat tashmë i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bosnja e Hercegovina ka qenë e fundit që ka dorëzuar një dokument të tillë.

Von der Leyen personalisht ishte angazhuar për të promovuar këtë plan, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Ky plan, që është një paketë prej 6 miliardë eurosh, konsiderohet si plani më ambicioz financiar i BE-së për vendet e rajonit dhe ka për qëllim t’iu ndihmojë atyre të përshpejtojnë rritjen ekonomike, procesin e reformave dhe në këtë mënyrë të jenë më të gatshme për procesin e integrimit në BE.

Lini një Përgjigje