Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij, në rrjetin social, u ndal te protestat, duke theksuar se kryengritja paqësore është zgjedhja e opozitës. Berisha deklaroi se protestat do të vijojnë deri në rrëzimin e Edi Ramës.
“Vija e kuqe e jona është protesta deri në rrëzimin e Edi Ramës. E lodhshme, rraskapitëse, e mundimshme, por ne këtë kemi zgjedhur. Vija e kuqe e jona si protestë, gjer në rrëzimin e Edi Ramës është jetike jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Partinë Demokratike por dhe për Shqipërinë, që të ketë një opozitë me zë të fuqishëm. Ata që mërziten nga protesta e Partisë Demokratike, gabojnë, në qoftë se janë kundërshtarë të regjimit. Gabojnë shumë. Protesta e Partisë Demokratike është zëri i atyre qytetarëve që guxojnë të dalin në rrugë. Për çfarë çështjesh? Dalin në rrugë për çështje të cilat janë njëlloj rrënuese për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet politike”, tha Berisha.
Në vijim ai u shpreh se Shqipëria sot është një diktaturë autoritare.
“Jemi një diktaturë autoritare që dallon nga diktaturat totalitare, sepse kjo e pranon pluralizmin. Por kjo e shtyp pluralizmin. Ata të cilët kanë një dyshim në këtë, më lejo t'u shtrojmë pyetjen bashkë. Në të cilin regjim arrestohen si persona nën hetim vitin elektoral liderët e opozitës? A mund të realizoni ju se ç'do të thotë kjo? Në të cilin regjim? Vitin elektoral arrestohen liderët e opozitës si persona nën hetim. Cili është qëllimi i këtij, i këtij arrestimi?
Qëllimi i tij është një dhe vetëm një, të marrë të grabisë zgjedhjet me çdo kusht. Në të cilin regjim përdoren kartelet e drogës për të përcaktuar rezultatet e zgjedhjeve, siç e përcaktuan në Durrës, siç e përcaktuan në Elbasan, siç e përcaktuan në Vlorë, në Fier dhe një seri qytetesh të tjera. Kur mendon, mos harro se këto kartela administrojnë miliarda, jo qindra milionë, miliarda euro. Dhe ato kanë vetëm një detyrë në bashkëpunimin politik, zgjedhjet, garantimin e fitores”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje