Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbyll këtë të martë shqyrtimi gjyqësor për dosjen që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që vendimi nëse çështja do të kalojë për gjykim të shpallet më 18 mars.
Në seancë ishte i pranishëm edhe vetë Presidenti i Partisë së Lirisë, i cili mori fjalën para gjykatës dhe kërkoi pushimin e dosjes, duke i cilësuar akuzat e SPAK për korrupsion dhe pastrim parash si të pabazuara.
Meta u përpoq të krijojë një kontrast me imazhin e luksit që shpesh shoqëron politikën shqiptare, duke deklaruar se ka bërë gjithmonë një jetë modeste.
“Kam bërë jetë të thjeshtë dhe jo jetë luksi, nuk kam pirë verën as 33 mijë euro dhe as kam lëvizur me charter”, tha Meta para gjyqtares, duke ironizuar kryeministrin Edi Rama.
Ai theksoi se një pjesë e madhe e shpenzimeve të tij, veçanërisht udhëtimet jashtë vendit, janë mbuluar nga shteti shqiptar ose nga vendet pritëse gjatë periudhave kur ka ushtruar funksione shtetërore.
“Në një vit kam marrë rreth 15 mijë euro dieta”, mësohet të ketë deklaruar Meta në sallën e gjyqit.
Në një moment tjetër gjatë seancës, Meta kërkoi që në materialet e akuzës të mos përdoret më termi “çifti Meta-Kryemadhi”, pasi sipas tij ai është ndarë nga ish-bashkëshortja.
“Mos më thoni në akuzë ‘çifti’, por ndryshojeni me ‘ish-çifti’. Jam ndarë me këtë zonjën”, është shprehur ai para gjykatës.
Paralelisht me qëndrimin në gjykatë, Meta reagoi edhe përmes një statusi në rrjetet sociale, ku akuzoi prokurorinë për hetim të njëanshëm dhe për përpjekje për ta shpallur fajtor pa prova.
Sipas tij, edhe vetë prokurori ka pranuar se për çështjen e lobimit nuk hetohet LSI, por vetëm Ilir Meta, ndërsa ka kërkuar që statuti i partisë të mos merret si provë në proces.
“Prokurori u tregua shumë i sinqertë, sepse ata nuk po hetojnë për çështjen, por kanë shpallur fajtorin dhe nuk sjellin dot prova”, shkruan Meta në reagimin e tij.
Ai mohon të ketë pasur kontrata personale me kompaninë amerikane GSIS apo me kompani të tjera në SHBA, duke theksuar se kontrata për lobimin ka qenë mes LSI-së dhe kësaj kompanie.
“Ilir Meta nuk ka asnjë kontratë me GSIS dhe asnjë kompani amerikane. Kontrata ka qenë midis LSI dhe GSIS dhe ka qenë shumë e mirëpërcaktuar se si kryheshin shërbimet dhe pagesat”, shprehet ai.
Meta pretendon gjithashtu se prokuroria nuk ka llogaritur një pjesë të të ardhurave të tij të ligjshme ndër vite, përfshirë pagat dhe dietat që ka përfituar gjatë karrierës së tij politike.
“Prokurori na habiti kur pranoi se ekspertja e tij kontabël nuk i kishte llogaritur të ardhurat e ligjshme që nga marsi i vitit 1992 deri në vitin 2002. Po kështu nuk janë llogaritur as dietat që kam përfituar në 30 vite”, shkruan Meta.
Ai shton se vetëm gjatë një viti në detyrën e ministrit të Jashtëm ka përfituar rreth 15 mijë euro dieta dhe se mosllogaritja e këtyre të ardhurave, sipas tij, është bërë për të krijuar një “deficit artificial” në analizën financiare.
“Nuk të llogarisin me qëllim mbi 300 mijë euro të ligjshme nga shteti shqiptar që të të nxjerrin ‘defiçit’ dhe të shpikin akuzën për pastrim parash”, shprehet ai.
Në reagimin e tij Meta ngriti edhe një pyetje ironike lidhur me pasurinë e zyrtarëve të drejtësisë.
“Si shpjegohet që një nga këta tre prokurorë, me 19 vite punë, ka deklaruar tre pasuri të paluajtshme, ndërsa Ilir Meta, 33 vite me pagë deputeti, kryeministër, zv/kryeministër, kryetar Parlamenti dhe President i Republikës, sot nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme pronë?”, shkruan ai.
Deklaratat e Metës për një jetë modeste dhe mungesë pasurish kanë shkaktuar shpesh debate në opinionin publik, duke qenë se ai është një nga figurat më jetëgjata të politikës shqiptare dhe ka mbajtur për më shumë se tre dekada poste të rëndësishme shtetërore, nga deputet dhe kryeministër deri te Presidenti i Republikës.
Vendimi i GJKKO më 18 mars pritet të përcaktojë nëse dosja ndaj Metës dhe Kryemadhit do të kalojë në gjykim të plotë, një zhvillim që mund të shënojë një nga përballjet më të rëndësishme gjyqësore të një figure të lartë politike në Shqipëri.
Do me thene, ky pasurine e paska vene nga dietat 100 Eur ne dite kur bente ndonje rruge Maqedonie..Me ke tallet ky koketrung..
T’i dine Shqiptaret mirë shume shtepi e biznese që ke ne Angli që t’i manipulojne langot e tu. Mbylle gojen se do të ta bejne gjemen më keq se ç’ta bene Amerikanet. Ke pare që keta maloket nuk gedhenden kurre!?