TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 14:54

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin, Ilir Meta mbetet në burg

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata e Lartë rrëzon rekursin, Ilir Meta mbetet në burg
Ilir Meta

Gjykata e Lartë ka rrëzuar sërish rekursin e ish presidentit, Ilir Meta, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Ish presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024.

Meta është rrëzuar edhe më herët nga të tre shkallët e gjyqësorit për ndryshimin e masës së sigurisë.

Ai ka argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim dhe se masa ‘arrest me burg’ është e pajustifikuar dhe jo proporcionale në raport me rrethanat e çështjes.

Meta kishte hequr dorë nga kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” që kishte paraqitur në GJKKO. Kërkesa për ndryshimin e masës ishte depozituar më herët, por gjatë seancës së zhvilluar në GJKKO ai ka vendosur të tërhiqet.

Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar gjithashtu edhe Gjykatës Kushtetuese për masën e sigurisë.

Kujtojmë që ish presidenti është dërguar për gjykim për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë. Hetimet e SPAK u bazuan në tre çështje: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror.

Akuzat nga SPAK

Ilir Meta është marrë zyrtarisht i pandehur dhe ish presidentit  i janë komunikuar nga SPAK akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Me të njëjtat akuza Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë të pandehur edhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Akuzat i janë komunikuar nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, prokurorët e dosjes e cila përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Akuzohet pritet t’i komunikohen në vijim edhe të akuzuarve të tjerë, Ema Çoku e Piro Xhixho.

Hetimet ndaj Ilir Metës janë mbyllur nga SPAK në muajin gusht dhe dosja është dërguar në gjykatë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Këto akuza lidhen me çështje të ndryshme, përfshirë aferën CEZ-DIA dhe lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas akuzës, Ilir Meta dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në tre episode të ndryshme, dy prej tyre në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Pirro Xhixho përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash.

SPAK pretendon se hetimet kanë zbuluar një skemë përfitimi financiar, ku Meta dhe Kryemadhi, duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike, kanë favorizuar biznese të caktuara në këmbim të përfitimeve monetare. Sipas Prokurorisë, episodet e dokumentuara tregojnë bashkëpunim të vazhdueshëm mes pesë të pandehurve në rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Për ndërtimin e dosjes, SPAK ka bashkëpunuar me autoritete ligjzbatuese dhe financiare në disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, San Marinon dhe Qipron.

gjykata e lartë rrëzon rekursin ilir meta mbetet në burg

Lini një Përgjigje