Komisioni i Etikës ka përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët e opozitës Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas incidenteve që ndodhën në seancën plenare të së enjtes.
Një deklaratë e Taulant Ballës duke ju drejtuar Albana Vokshit se “numrin 0900 e kam për ty”, solli përplasje të forta. Klevis Balliu tentoi të godasë Ballën me grusht, ndërkohë që Bardhi ju drejtua me fjalët: “Je mësuar me ato kur*at te partia jote”.
Ndërkohë akoma nuk ka një vendim për Taulant Ballën, pasi edhe për të PD ka kërkuar përjashtim nga Parlamenti. PD ka kërkuar 60 ditë përjashtim.
“Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Znj. Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave. Në këtë kuptim, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, thuhet në shkresën e Grupit të PD-së.
Lini një Përgjigje