Kryeministri Edi Rama e ka mbyllur fjalën e tij për mbi një orë në Grupin Parlamentar të PS, me një falënderim për Belinda Ballukun për drejtimin e ministrisë së Infrastrukturës për gjashtë vite.
Ai tha se tani Balluku në përballjen me gjyqësorin ajo do të ketë në krah vetëm avokatët e saj.
“E falënderoj Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që Meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të të 3 dorëheqjeve të veta të cilat pavarësisht interesit të saj apo edhe pikëpamjes së disa shokëve këtu për të lehtësuar presionin mbi të apo mbi ne”, tha Rama.
Kryeministri njoftoi se ajo do të vazhdojë aktivitetin politik në qarkun e Fierit dhe do të provojë mbështetjen e qytetarëve edhe pa pasur një funksion në pushtetin ekzekutiv.
“Edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte, kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit ku ajo do vazhdojë të drejtojë qarkun dhe s’do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Por ajo që unë di me siguri është një gjë tjetër, se pak kush nga ne këtu i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin, duke shkuar rregullisht në zonat që mbulon si drejtuese politike”, tha Rama.
Ai deklaroi se shpreson që SPAK të hetojë deri në fund çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni.
“Nuk kam fare në plan ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën sot dhe uroj që në hetimin e çështjes për të cilën ajo akuzohet se ka kryer, prokuroria të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18-ve varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe me zakon. Ndërkohë që unë si kryeministër ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që s'e kanë idenë e kësaj detyre, nuk e kam as të mundur, po nuk e kam as të lejuar, qoftë nga ligji, qoftë nga zakoni që t'i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori. Nuk kam ndërmend as t'ju them aq më tepër juve që e njihni më mirë se të tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të. Sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht që të dalë e vetja. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj.” ,tha kreu i PS.
Lini një Përgjigje