TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Mars 2026, 12:34

PS kundër SPAK për imunitetin e Ballukut, Bardhi: Shteti i marrë peng, më 12 mars në protestë

Shkruar nga Pamfleti
PS kundër SPAK për imunitetin e Ballukut, Bardhi: Shteti i marrë
Bardhi dhe Rama

Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, ka reaguar ndaj vendimit të socialistëve që rrëzuan kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës.

Bardhi e konsideron këtë vendim si një tregues që shteti është marrë peng, ndërsa fton shqiptarët t’i bashkohen protestës së 12 marsit.

Sipas deklaratës, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur prova që lidhen me 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, si dhe pretendime për presion ndaj dëshmitarëve përmes personave të lidhur me krimin dhe përmes pagesave.

Opozita pretendon se në një demokraci funksionale parlamenti duhet t’i hapte rrugë hetimeve të drejtësisë, ndërsa vendimi i fundit, sipas saj, tregon se institucioni po përdoret për të mbrojtur zyrtarët e përfshirë në çështje korrupsioni.

Në reagimin e Bardhit thuhet gjithashtu se çështja ka edhe një dimension më të gjerë politik, duke e lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sipas opozitës, Bashkimi Europian kërkon rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, ndërsa vendime të tilla, sipas saj, rrezikojnë të dëmtojnë besueshmërinë e vendit në këtë proces.

Reagimi nga Bardhi

Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës – PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. i kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!

SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.

Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.

Me qëndrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.

Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.

bardhi ps balluku rama

1 Komente

  1. K
    Katnari

    Duhet te ishte subjekt i Spakut or pis, per vrasjen e Dr. Xhuvanit dhe per ngritjen e grupeve, SA albaneze njesoj si në gjermanine e Hitlerit. Mire Spakut nuk te heton, Po ti vetem ke ndonje grime pendese per sa ka ndodhur or qen pa bisht. Mos ki merak, po nuk ta kendoj drejtesia do ta kendoje Sala, veç mos i ardhte momenti.

    Lini një Përgjigje