Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e PS, konfirmoi si drejtuese qarku për Fierin në zgjedhjet e ardhshme, ish ministren Belinda Balluku.
Rama u shpreh se nuk do ta shpallë as fajtore dhe as të pafajshme Belinda Ballukun në lidhje me ato që SPAK po heton.
Ai tha se vijën e kuqe që ka vendosur për të gjithë socialistët pas vënies në funksion të reformës në drejtësi, nuk do ta shkelë as në rastin e saj.
“Nuk e kam as të mundur as të lejuar, qoftë nga ligji e zakoni që t’i mbajë pishën asnjë bashkëpunëtori. S’e kam ndërmend t’u them as juve se Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë e do t’i dalë e vetja. S’kam ndërmend ta shpall të pafajshme për çfarë akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe që e kam vizatuar në këtë sallë të nesërmen e reformës në drejtësi, e që vlen për të gjithë”, tha Rama.
Rama deklaroi se ndaj Ballukut nuk ka akuza të rënda për korrupsion apo vjedhje, por thjesht një akuzë për shkelje të barazisë në tendera.
Kreu i qeverisë deklaroi se Balluku ishte ajo që “asfaltoi” opozitën në qarkun e Fierit, duke fituar thellë në këtë zonë.
“Ndaj Belinda Ballukut nuk është ngritur akuzë për korrupsion dhe as për vjedhje dhe ndonjë gjë që e lidh me skenë krimi. Akuza ndaj saj është vetëm dyshimi i arsyeshëm se ka shkelur veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, bazuar në mesazhe të gjetura në celularin e një ish-drejtori. U hodhën akuza dhe u servirën si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik e mediatik, dhe menjëherë u vendos nga prokurori dhe gjyqtari, që të pezullohet si zëvendëskryeministre. Kjo ishte një masë absurde, që në fakt pezulloi funksionin dhe jo thjesht personin. Një budallallëk i tillë nuk ka ndodhur askund në botë. Më pas erdhi, turra-vrapi i dytë dhe është kërkesa e dytë për të autorizuar ose jo arrestin e një deputeti.
Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga grupet hetimore të Stacionit të Trenit, bëri që ndaj Ballukut të ngrihen dallgë urrejtje që ziejnë në 700 tenxheret e mediave. E kthyen në kriminele me 300 vila. E bënë sikur në kohën e drejtimit të saj u shembën rrugët, deti u bë kos për qenërinë e pazarit politik e mediatik. Por ajo është njeriu që asfaltoi krejt opozitën në Fier. Atje ishte dhe ai burri, që u mor në mbrojtje nga një vajzë, rast i rrallë në historinë e njerëzimit. Balluku u kthye në shtrigën që duhet djegur në turrën e druve me zjarr molotovësh, nga kjo opozitë, që hodhi gjithë te zezat mbi të. Ndryshimet epokale në infrastrukturë nuk erdhën nga koha, por erdhën nga PS, ku bën pjesë dhe Belinda Balluku“, tha Rama.
Më herët, Ulsi Manja lexoi raportin e Partisë Socialiste, e cila sërish nuk është dakord për heqjen e lirisë së ish-zv kryeministres Belinda Balluku.
Lini një Përgjigje