Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, nuk ka kursyer akuzat dhe etiketimet në drejtim të opozitës, që herë e konsideroi qen pazari që vijnë vërdallë me flakë në duar dhe gjuhën jashtë, dhe herë si dreqër që nxisnin protestat kundër realizimin të projekteve, përfshi edhe atë të Unazës së Madhe.
Duke vlerësuar Belinda Ballukun, për të cilën Grupi i PS-së vendosi të rrëzojë kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, Rama tha se ajo asfaltoi Gazin në Fier, ndërsa kur drejtonte qarkun e Dibrës, i bëri demokratët të hanë jufka. Rama i konsideroi si hakmarrje politike ndaj Belinda Ballukut akuzat që opozita hedh mbi të.
“E shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe a atij që e çoi partinë demokratike për jufka në Dibër dhe e asfaltoi në Fier me gjithë Gazin e Zegjinesë, burri i parë në historinë e Evropës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë. Mëshirë Zegjine”, tha Rama.
Në vijim, Kryeministri u shpreh se nuk mund të mos përmendte transformimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka ndjekur përditë, pa ndaluar asnjë ditë.
“Gjatë këtyre 6 vjetëve, në vendin tonë janë ndërtuar e rindërtuar rreth 1000 km të rrjetit rrugor kombëtar, nuk llogaris rrjetin dytësor dhe tretësor sepse është në kompetencën e qeverisë e ministrisë, por bashkive dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
40 kantierë janë të hapur në të gjithë vendin. Nga aksi Elbasan-Rrogozhinë që mbyllet në 2027, me ecuri mbi 60%, te Elbasan-Qafë Thana duke i vënë në dispozicion Shqipërisë, BE E NATO-s korridorin VIII që për 30 vjet u bllokua në Komisionin Europian nga të tjerë për të mos u klasifikuar si korridor i rrjetit europian të transportit dhe e zhbllokuam në samitin e BE me Ballkanin Perëndimor dhe është shpallur korridor sigurie për mobilitetin e forcave të NATO-s.
Edhe Elbasan-Banjë, by-pass i Fierit e i Vlorës, rrugë që numëroheshin me daulle, të cilat ishin vetëm gropa borxhesh e plagë të hapura rruge, sot janë vepra siç u krye Orikum-Dukati ku flitet për miliona e meleona të vjedhur, por të vetmit miliona e meleona janë ato të përfituara më tepër nga rritja e fluksit të makinave drejt jugut. Palasë-Dhërmiu, Kardhiq-Delvina, e shumëpremtuar dhe ajo, edhe ajo në kalendarin imagjinar të ditëpunëziut. Korçë-Ersekë, Qukës-Qafë Plloça që na mbeti në kurriz bashkë. E nisëm krejt nga e para si projekt duke e bërë fytyrën shollë para investitorëve.
By-Pass i Tepelenës, Rruga e Arbrit, Thumanë-Kashari, dy ëndrra në beze kur thonë tironsit, ndërsa sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme.
Apo Unaza e Madhe e Tiranës, këtë e llogaris te katrani i madh te ai inventari imagjinar i mijëra kilometrave, u bë realitet vetëm pasi iu qep ministrja duke qëruar oriz se në çdo 100 metra kishte një problem, jo shpronësimi i pabërë këtu, jo kanali atje, jo kabllot e nëndhenshme të RTSH-së më tutje, jo kolektori poshtë, jo lumi me klubin, jo lavazhi, jo dreqi me leje, jo i biri pa leje, jo ky me legalizim, ai në proces legalizimi, ata që s’luanin vendi, ata që s’hapnin rrugën se ishin me ata, jo dreqërit që nxisin protestat me bllokime, bam bariu e bam i biri, bum Falliu e bam i ati derisa u qëruan të tërë dhe u krye edhe Unaza e Madhe e Tiranës. Bulqizë-Martaneshi, Maqellarë-Peshkopia, Ura e Madhe e Kukësit, të gjitha të mbetura në havanë e premtimeve shumëvjeçare.
Doli edhe Rruga e Kombit nga gryka e shishes, pa llogaritur peripecitë e tjera të saj. Janë në ndërtim Rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i bajpasit Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq-Plepa, By-Pass i Sarandës, segmentet e Korridorit Blu janë të tëra në përgatitje kantieresh", tha Rama.
Lini një Përgjigje