TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Mars 2026, 12:12

Balluku kërcënoi dëshmitarët? Rama: Prokurorët e SPAK janë emocionalë, nuk bëhet akuzat me muhabet telefoni

Shkruar nga Pamfleti
Balluku kërcënoi dëshmitarët? Rama: Prokurorët e SPAK
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar mënyrën se si SPAK veproi në çështjen që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Ai deklaroi se kërkesa për arrestimin e saj erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e masës së GJKKO dhe se prokuroria përdori si provë një bisedë telefonike që, sipas tij, nuk përbën element të ri në hetim.

Rama tha se materiali i paraqitur nga SPAK përfshin një incizim mes një të pandehure dhe një bashkëbisedueseje, ku pretendohet se Balluku ka ushtruar presion për të ndryshuar dëshminë. Sipas tij, kjo bisedë nuk përmban referenca të drejtpërdrejta ndaj ministres dhe nuk u verifikua përpara se të përdorej si argument për kërkesën e arrestimit.

Ai shtoi se prokuroria e kishte këtë material edhe më herët, por e paraqiti vetëm pasi Gjykata Kushtetuese vendosi për pezullimin e masës së mëparshme.

“Paraqitja e një incizimi mes një të pandehuri dhe një bashkëbiseduese, ku e pandehura sipas prokurorit na qenkësh kërcënuar. Nuk përmendet asgjëkundi në atë bisedë Belinda, ministrja, titullarja apo ndonjë gjë që duket si ndonjë kërcenim real. Unë vetë as nuk e kam dëgjuar as nuk kam ndërmend ta dëgjoj apo të lexoj proces verbalin, pro drejtësia ka detyrën e vet ti përdorë, që e paska shtyrë prokurorin të marrë të gjithë atë të përpjetë dhe të vijë të kërkoj arrestimin e një deputeteje, e cila është prindi i vetëm i një vajze minorene. Nuk po marr fare as për bazë faktin që kërcënimin prokurori e kishte, edhe përpara se sa ta pezullonte ministren. Ndërkohë që e nxori vetëm kur ra masa e pezullimit, duke e përdorur si rrethanë rëndësuese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turra vrap i cili më shumë se sa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Kushtetuesja. Nuk po them fare që një thënie e një të pandehur në të njëjti procedim nuk ka vlerën e të dëshmisë dhe nuk mund të konsiderohen si provë. S’po e quaj, e zë se e pandehuri i thotë bashkëbisedueses, Balluku më ka lidhur pas karriges, më ka vënë në fyt një thikë që kishte edhe disa pika gjaku të tharë dhe më ka thënë do të të vras, po nuk the kështu, apo nuk bërë ashtu. Po e marr që prokororët, kanë sjellë këtë. A ka njeri të ma tregojë si mund të vihet në kuvendin e Shqipërisë me një muhabet të tillë telefoni pa bërë asnjë ballafaqim, pa bërë asnjë kryqëzim dëshmish, pa bërë asnjë verifikim kur, ku ndodhi kjo. Sado në mënyrë të tmerrshme të përshkruhet në një bisedë telefonike mes dy grash, ose burrash, aq më tepër një i pandehur me një tjetër. Si u marrka prapa hekurave kaq kollaj, se folën dy veta në telefon dhe kjo është provë e re, që nuk është as e re, dhe kur mendohet se vuhet me këtë kollajllëk në Kuvend për të kërkuar kokën e një të zgjedhuri, mbasi është bërë gjithçka për t’ia futur 7 pashë jo nën dhe, por në llum”, tha Rama.



prokurorët e spak janë emocionalë rama balluku

Lini një Përgjigje