Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, nuk ka nguruar që t’i çojë një paralajmërim prokurorëve të SPAK-ut, që kur të kërkojnë imunitetin e zyrtarëve, të paraqesin prova reale dhe serioze.
Rama tha se nuk mund të vijnë prokurorët në Kuvend dhe të thonë dosja me 16 mijë faqe, ndërkohë që në këtë dosje ka projekte, vizatime, dokumente të marra nga zyrat shtetërore, dhe ajo shifra që thuhet 16 mijë përdoret vetëm për opinionin publik. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se nuk mund të vazhdohet më me situatat kur thuhet “hajde ta fusim njërin se na ka ardhur një muhabet”.
“Ka shumë të burgosur pa gjyqe të cilët hanë e pinë me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që mund të jenë atje komplet të pafajshëm. Jetojnë në kurriz të të tjerëve. Hajde ta fusim se na ka ardhur një muhabet. Ku jemi këtu?
Çfarë është një njeri i zgjedhur nga populli, kokë për tu marrë si trofe në pjatën e pazarit dhe për tu shëtitur në pazar në emër të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit pasi është zhgaravitur? Ra akuza për grup të strukturuar kriminal për Ilir Beqajn.
Për Ilir Beqaj, s’kam folur ndonjëherë me idenë për të respektuar vijën e kuqe. Po tani që ka një vendim pasi u ngrit e ul si grup i strukturuar kriminal, tani s’paska pasur një grup të strukturuar. Këtu prokurori kërkon e gjykatësi vrapon.
Në emrin tonë jo. Me votën tonë, jo. Herë tjetër kur të vijë në Kuvend jo imunitetin, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj hetimit, ndaj përgjimit, ndaj procesit penal për askënd nga ne që jemi këtu. Ne të ngremë dorën për të çuar në burg një deputet me këto argumente, çfarë jemi ne, bashkautor në krijimin e popullit të të paraburgosur në Shqipëri.
Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. T’i vish Kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde që i kemi dhënë shpirtin betejën reformës në drejtësi, u kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni c’keni për të bërë. Dinjiteti i parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje