Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka dhënë detaje për skemën e re kombëtare për vitin 2026, e cila ndryshon mënyrën e mbështetjes për fermerët dhe heq një nga format kryesore të ndihmës, naftën pa taksa.
Paketa e miratuar nga qeveria nuk përfshin më këtë skemë, duke e zhvendosur mbështetjen drejt pagesave direkte dhe kompensimit të TVSH-së. Salla tha se ndryshimet synojnë përfshirje më të gjerë të fermerëve në skemë.
“Skema e naftës është skemë mbështetëse, ne japim pagesë të drejtpërdrejtë. Skema që paraqitëm sot është skemë gjithëpërfshirëse, fermeri bëhet pjesë e të gjithë masave, dhe ajo që është më e rëndësishmja 10% i faturimit që do marrë në biznesin që do të çojë produktin. Kjo është ajo që u kemi ofruar fermerëve, nuk është vetëm një masë e caktuar e cila është thënë sot, hiqet masa e naftës. Nuk është vetëm masë nafte, është mbështetje për fermerin, këto masa që kemi vendosur është gjithëpërfshirëse dhe çdo fermer është pjesë e kësaj pakete”, tha Salla.
Ndryshimet prekin drejtpërdrejt blegtorinë. Pragu për përfitim nga mbështetja për lopët ulet në 5 krerë, ndërsa pagesa rritet në 12 mijë lekë për krerë. Edhe për delet dhe dhitë, kërkesat lehtësohen dhe subvencioni rritet në 1500 lekë për krerë.
Në bletari, numri i nevojshëm i koshereve përgjysmohet dhe mbështetja arrin në 2 mijë lekë për zgjua. Skema përfshin për herë të parë edhe financim për dosat, me 7 mijë lekë për krerë për tufat me të paktën 5 krerë.
Ndërkohë, fondet e IPARD mbeten ende të paqarta. Ministri tha se autoritetet shqiptare duhet të përmbushin detyrimet deri më 9 prill për të vijuar me kërkesën për hapjen e fondeve.
“Ishim në Bruksel me ekipin dhe kemi diskutuar për të gjithë detyrat që kemi. Ne kemi qenë në datën 9 mars dhe brenda datës 9 prill duhet të dorëzojmë kërkesat që na janë kërkuar. Presim më pas akreditimin e paketës së IPARD”, tha Salla.
Skema e re pritet të zbatohet gjatë vitit 2026, me ndryshime në mënyrën se si shpërndahet mbështetja për fermerët.
Lini një Përgjigje