Partia Demokratike zhvilloi këtë të hënë (31 mars) një tryezë dhe takim të hapur në kuadër të Reformës Territoriale, ku u diskutuan problematikat e trashëguara nga reforma e vitit 2015, e cilësuar nga opozita si një dështim i mazhorancës. Në këtë takim u prezantuan edhe alternativat dhe projekti i ri i propozuar nga PD.
Në fjalën e tij, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, deputeti demokrat Luçiano Boçi, akuzoi mazhorancën se synon “krijimin e një magazine votash” dhe “centralizimin e pushtetit vendor”, me qëllim kontrollin politik të pushtetit.
Ai bëri të ditur se PD propozon rritjen e numrit të bashkive, edhe nëse do të pranohej reduktimi i qarqeve nga 12 në 8, duke theksuar nevojën për një mbulim më të plotë institucional dhe territorial në shërbim të qytetarëve.
“Kur flasim për këtë reformë, pavarësisht teorive absurde të mazhorancës, të gjithë e pranojnë se këtu na ka sjellë dështimi real i pushtetit lokal. Nuk jemi këtu për të arritur qëllime të padeklaruara më parë. PS po përdor të njëjtat teza si në 2015, jo integrimi, gjeografia dhe të tjera. Qëllimi i saj është rikontrolli sa më absolut i votës. E vërtetë është që popullsia lëviz, por zgjidhja nuk është zhvendosja apo heqja e institucioneve nga zonat dhe mosprezencës së shtetit atje. Problemet vijnë nga mungesa e investimit, financimeve”, tha deputeti demokrat mes të tjersh.
Boçi theksoi gjithashtu se Shqipëria, sipas tij, mbetet larg standardeve evropiane, duke lidhur këtë me efektet e reformës së vitit 2015, që sipas opozitës ka ndikuar edhe në shpopullimin e zonave.
“BE kërkon administratë profesionale dhe transparencë. Moraliteti i gjithë kësaj i ngjason fabulës së inxhinierit, që pasi ka shembur shtëpinë e vetë, vjen me 4 projekte të reja. Ne duhet të korrigjojmë politizimin ekstrem dhe autoritetet lokale, pas problematikave me reformën e vitit 2015 dhe keqqeverisjen. Ajo u bë me qëllim që të decentralizonte pushtetin lokal, por nuk solli asgjë, por qëllimi i vërtetë ishte kthimi i tyre në magazinë votash. Kemi më pak decentralizim, më shumë abuzim e korrupsion, shpopullim të zonave rurale, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Të tjerat mund të quhen reforma si kjo e sotmja. Ka një zgjidhje të vetme, hartë e re territoriale me më shumë bashki, që rrit cilësinë por nuk konsideron rritjen e numrit të votave”, shpjegoi ligjvënësi opozitar.
Në vijim, ai theksoi se dallimi mes dy palëve nuk lidhet thjesht me numrin e bashkive, por me mënyrën e organizimit të pushtetit vendor dhe pavarësinë e tij.
“Këtu nuk është synimi që PD kërkon më shumë bashki dhe PS më pak, por cilësua e pushtetit lokal dhe pavarësia, pa centralizim, sepse e kundërta do prodhonte të njëjtat probleme, më pak shërbime e më shumë pabarazi. Qëllimi i PS është centralizimi dhe mungesa e pavarësisë së pushtetit vendor. PD i ka të qarta qëllimet dhe objektivat e saj të arritshme, të propozuara nga ekspertët tanë, për rritjen e numrit të bashkive me qëllim që të jenë pranë njerëzve dhe aty ku mundojnë. Rritja e cilësisë së shërbimit, standardet evropiane, decentralizimi, integrimi në BE, këto janë qëllimet tona. Jemi për krijimin e më pak qarqeve, por ama me mbulimin e territorit me sa më shumë bashki dhe praninë e tyre te qytetarët për ofrimin e shërbimeve”, u shpreh Boçi.
Lini një Përgjigje