TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Mars 2026, 19:26

Nafta 218 lekë për qytetarët, falas për deputetët; çdo vit përlajnë 45 mln lekë

Shkruar nga Pamfleti
Nafta 218 lekë për qytetarët, falas për deputetët;
Foto ilustruese

Qeveria heq naftën për fermerët, paguan për deputetët: mbi 1.3 milion lekë për mandat secili

Teksa fermerët nuk do të kenë më naftë falas dhe qytetarët përballen me çmimin që arrin në 218 lekë për litër, kriza e karburanteve nuk i prek njësoj të gjithë.

Ata që nuk e ndjejnë drejtpërdrejt këtë rritje janë deputetët dhe ministrat, për të cilët karburanti mbulohet nga fondet publike.

Vendimi për heqjen e mbështetjes për fermerët vjen paralelisht me rritjen e çmimit nga Bordi i Transparencës, duke zhvendosur të gjithë barrën te konsumatori dhe sektori bujqësor, që mbetet ndër më të ekspozuarit ndaj kostos së naftës.

Në të kundërt, të dhënat që ka siguruar Pamfleti tregojnë se vetëm gjatë vitit 2025 janë shpenzuar 45,567,862 lekë për kompensimin e karburantit të deputetëve.

Në një mandat të plotë katërvjeçar, kjo shumë arrin në 182,271,448 lekë.

Me 140 deputetë në Kuvend, rezulton se mesatarisht një deputet përfiton rreth 325,484 lekë në vit vetëm për karburant. Në katër vite, kjo shifër shkon në rreth 1,301,936 lekë për çdo deputet.

Këto të dhëna vijnë në një moment kur qytetarët paguajnë çmimin më të lartë të viteve të fundit për naftën, ndërsa fermerët përballen me rritje direkte të kostove të prodhimit.

Sipas analizës së Kuvendit për vitin 2025, përfitimet financiare që burojnë nga statusi i deputetit arrijnë në rreth 200 milionë lekë, duke përfshirë rimbursime për karburant, telefona, dieta dhe qira, ose 44.2% e shpenzimeve operative.

Ndërkohë, 60 milionë lekë janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, ndërsa fondet për paga dhe kontribute arrijnë në rreth 1.2 miliardë lekë.

Në të njëjtin vit, Kuvendi ka shpenzuar edhe 14.5 milionë lekë për automjete dhe 23 milionë lekë për arredim zyrash.

Kontrasti është i drejtpërdrejtë: ndërsa çmimi i naftës rritet dhe mbështetja për fermerët hiqet, fondet publike vijojnë të garantojnë mbulimin e karburantit për përfaqësuesit politikë në mënyrë të qëndrueshme çdo vit. /Pamfleti

nafta deputetet

1 Komente

  1. Z
    Zoto Kanina

    Të ngrihen fermerët me gjithë zetora, traktora, autokombajna e të vijnë në blvd të protestojnë me bllokim rruge. Pa marrë leje e paparalajmërim.

    Lini një Përgjigje