Emërimi i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit ka shkaktuar përplasje të fortë në Kuvend, ku debati nisi nga opozita dhe u pasua me reagimin e ministrit të Brendshëm.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, mori fjalën i pari dhe sulmoi emërimin e Skënder Hitës, duke e cilësuar si vendim të paracaktuar dhe të ndikuar politikisht.
“Që tre ditë më parë e dinim që Skënder Hita do emërohej, sot vetëm u zyrtarizua krim i radhës. Në dosjen e Ballukut thuhet se ka pasur kërcënime me jetë ndaj dëshmitarëve nga eksponentë të krimit. Në dosjen e kësaj zonje, që sot emëron drejtorin e policisë, merr në dorë të gjithë Ministrinë e Brendshme”, u shpreh ai.
Pas tij reagoi ministri i Brendshëm Besford Lamallari, i cili mbrojti emërimin dhe sulmoi qëndrimin e opozitës.
“Për fatin e keq kushdo që do vijë duhet të marrë parasysh akuzat dhe baltën e opozitës. Policia është e shtetit shqiptar dhe i duhet dhënë mbështetje dhe le ta provojë me punë që i shërben shtetit. Zoti Hita është oficer karriere, ka qenë drejtues në disa qarqe, ku ka spikatur për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim dhe jam i lumtur që ka spikatur roli i tij. Turpi qoftë mbi ju, në seancën e radhës do merrni përgjigje”, deklaroi Lamallari.
Gjatë replikës, ministri iu drejtua personalisht deputetit demokrat: “Deputeti në fjalë që kur u thirr bukurosh nuk i ndahet më këtij muhabeti”.
Më pas reagoi Balliu: “Në qoftë se nuk e kuptove, e thash që atë që ti mësove sot unë e mësova para 3 ditësh, sepse ti je mbajtës karrigesh jo ministër. Ti nuk di nga lidhet gomari. Ti nuk flet dot, se ti kërcen, fle, ha dhe ikën kur të thonë. Ti duhet të rrish të mbyllësh gojën dhe të dëgjosh”.
Lini një Përgjigje