TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Mars 2026, 09:53

Prapaskenat: A është Edi Rama kundër kandidimit të Erion Braçes?

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat: A është Edi Rama kundër kandidimit të Erion
Edi Rama dhe Erion Braçe /

Braçe doli hapur për Tiranën në një moment kur PS vuan mungesë kandidatësh, ndërsa lëvizja e tij ekspozon krizën e heshtur të Ramës brenda partisë dhe frikën nga rikthimi i ‘senatorëve’...

Erion Braçe, një nga politikanët më jetëgjatë e pa një histori të rëndësishme në poste ekzekutive, gjithashtu një nga më popullorët brenda PS-së, ka shpallur si “papritur” në mbledhjen e fundit të grupit, nismën për të kandiduar për kryetar i bashkisë së Tiranës.

Gjatë mbledhjes së grupit, Erion Braçe, e mori fjalën i fundit, duke i vënë pikën dhe u bë kësisoj lajmi real i asaj mbledhje që u zhvillua me dyer të mbyllura.

Edhe pse shumë janë ndier të suprizuar nga vetë shpallja e kandidaturës Braçes, një numër jo i vogël socialistësh nuk e kishin të panjohur ambicjen e deputetit “veteran” për të garuar në Tiranë.

Kjo pasi në korridoret e Partisë Socialiste flitej prej kohësh për këtë çështje, e cila megjithatë nuk u mor shumë seriozisht.

Kjo ngaqë disa e panë si një trill të vetë Braçes për të rritur stekën e tij politike, apo edhe si një lojë të Edi Ramës për të testuar ujrat brenda së majtës.

Po si është realisht e vërteta?

A ka një dakordësi paraprake, apo është një betejë e Erion Braçes, i cili ka paralajmëruar se do të dalë edhe i pavarur nëse nuk do ta marrë bekimin e partisë?

Së pari, një gjë është e qartë, Erion Braçe nuk ka qenë e nuk mund të jetë një kandidat i preferuar nga Edi Rama. I cili, siç e ka treguar në këto vite, ka ngritur laboratorin e tij “privat” të ngjizjes së udhëheqësve, laborator që nuk ndodhet në oborrin e selisë rozë.

Erion Braçe nuk është një politikan laboratori, përkundrazi, ai ka dalë nga “livadhet” politike të së majtës që prej vitit 1992.

Ndërkaq, Braçe është paksa “mistrec” për shijen e Ramës, ngaqë nuk përdor lëvdata, madje ka më shumë kritika për udhëheqjen e detashmentit socialist. Këto kanë qenë edhe arsyet se përse një nga politikanët më të votuar e më me përvojë në PS, ka marrë më pak pushtet në qeverisjet e Edi Ramës.

Duket që ka qartësisht një nismë të vetë deputetit të PS-së për të kryer një hap cilësor në karrierën e tij. Megjithatë, gjasat janë që Edi Rama të jetë vënë në dijeni më herët për këtë ambicje, e ndoshta e ka vendosur në plane apo kalenda, apo edhe e ka lënë “seen”.

Fakti është se Braçe, prej kohësh ka dhënë sinjale për një impenjim të tij për Tiranën në mënyrë mjaft aktive. Aktivitet që shprehet edhe me kritika të forta ndaj administratës aktuale të bashkisë, me të cilën ka pasur replika të forta shpesh.

Replika që kanë ngjarë edhe si një mizanskenë politike, apo një spin i mirëmenduar në shtratin e skemave me ‘template’ të gatshëm të Ramës. Si pasojë e këtij aktiviteti, mjaft aktorë në PS e kanë kuptuar këtë mesazh, por nuk kanë bërë hapa konkret për të shprehur mbështetjen apo kundërshtimin në lidhje me një kandidim të mundshëm.

Gjithsesi, dalja e Braçes hapur në këtë situatë të PS-së nuk është e rastësishme, ndërkohë që nuk është e gjitha ‘grurë’.

Pas katër mandateve në qeverisje dhe tre të tillë në krye të bashkisë së Tiranës me dramën e Erion Veliajt në burg, nuk është e lehtë për një kandidat që zbresë në betejë.

Nga ana tjetër, Erion Braçe ka thyer heshtjen në PS, pikërisht në një kohë kur Edi Ramës nuk po i pranon askush për të dalë si kandidat në zgjedhjet e pritshme vendore të 2027-ës.

Situatë që ka ngritur një alarm të fortë brenda mazhorancës që tregohet edhe nga shqetësimi i Edi Ramës për të shkundur strukturat socialiste, duke kërcënuar drejtuesit aktualë me dëbim nga partia.

Kërcënim që ngjan në boshllëk, pasi në shumë zona, strukturat e PS-së kanë kohë që nuk ripërtërihen dhe vegjetojnë si trupa gjysmë të vdekur, nga mungesa e entuziazmit.

Kështu kandidimi i Erion Braçes në Tiranë mund t’i leverdisë Edi Ramës momentalisht, por frika e tij është hapja si vaji në lakra e një ndjezje interesi nga “senatorët” e tjerë për tu kthyer në kupolë.

Nëse lëvizja do të jetë realisht “bio”, pra një betejë e Erion Braçes, qoftë edhe me dijeninë e kordinimet e duhura, ajo përbën një zhvillim të rëndësishëm. Por heshtja e pjesës tjetër në PS, sidomos e “senatorëve” nuk sjell sinjale për një situatë normale brenda mazhorancës; përkundrazi mund të sjellë zhvillime edhe më eksplozive./Pamfleti

 

edi rama erion braçe bashkia e tiranës

2 Komente

  1. c
    cen drrasa

    ERION BRAÇE JA VLE, OSH I DUHUNI PER ME QEVERIS TIRONEN. OSH PER POPLLIN TIRONES, JO PER DELENXHINJTE E ED RAMES.

    1. F
      Fieraku fier

      Muzikë tallava socialiste

      Lini një Përgjigje