TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Mars 2026, 20:30

Ndërkombëtarët bllokojnë “paqen fiskale” të Ramës!

Shkruar nga Pamfleti
Ndërkombëtarët bllokojnë “paqen fiskale” të
Rama duke prezantuar paqen fiskale

Aktet nënligjore dërgohen për miratim jashtë vendit, teksa BE ngre shqetësime për pastrim parash dhe dobësim të disiplinës tatimore

Edhe pse u miratua me bujë si një nga nismat kryesore fiskale të qeverisë, zbatimi i “paqes fiskale” është bllokuar nga partnerët ndërkombëtarë.

Ministri i Financave Petrit Malaj konfirmoi sot se aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar, por nuk janë zbatuar, pasi janë dërguar për konsultim tek partnerët ndërkombëtarë.

Në lidhje me paqen fiskale dhe faljen e detyrimeve, të gjitha aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar nga Ministria e Financave. Duke qenë se kanë qenë dy ligje shumë të diskutueshme, aktet nënligjore ne i kemi përcjellë tek partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Malaj.

Ai shtoi se qeveria pret komente dhe sugjerime përpara se të nisë zbatimin.

Në momentin që do të marrim përgjigje nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të vijojmë menjëherë me publikimin e tyre dhe me implementimin e plotë të ligjit”, tha ministri.

Qëndrimi i Malajt konfirmon se zbatimi i ligjit nuk varet më vetëm nga institucionet shqiptare, por nga miratimi i partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht Bashkimi Europian.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka shprehur më herët kundërshtime të drejtpërdrejta ndaj kësaj nisme. Në një qëndrim zyrtar, Komisioni Europian thekson shqetësime për efektet që amnistia fiskale mund të ketë në disiplinën tatimore dhe në luftën kundër pastrimit të parave.

“Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e respektimit të detyrimeve tatimore dhe përsëriti nevojën për të vendosur masa të forta kundër pastrimit të parave në propozim”, thuhet në reagimin e BE-së, pas diskutimeve në Nënkomisionin për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet më 25–26 nëntor.

Po në të njëjtin qëndrim, BE kërkon që çdo amnisti fiskale të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të kontribuojë në luftën kundër krimit të organizuar, duke iu referuar drejtpërdrejt standardeve të Moneyval dhe FATF.

Ligji i miratuar nga Kuvendi parashikon fshirjen automatike të të gjitha detyrimeve të akumuluara deri më 31 dhjetor 2014, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve. Në total, skema prek rreth 2 miliardë euro detyrime, nga të cilat rreth 1 miliardë euro pritet të falen plotësisht për borxhe mbi 10 vite.

Për detyrimet e periudhës 2015–2024, që arrijnë në 84.4 miliardë lekë, ligji parashikon falje deri në 50% nëse pagesa kryhet brenda qershorit 2026, ose 25% nëse shlyerja bëhet me këste deri në fund të vitit 2026. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen.

Një element kyç i debatit ka qenë mungesa e detyrimit për deklarimin e burimit të parave. Propozimi i Erion Braçes për transparencë mbi origjinën e kapitalit dhe pronarin përfitues u hoq në seancë plenare me ndërhyrjen e Taulant Ballës.

Zvarritja e zbatimit dhe kërkesa për miratim ndërkombëtar vendosin në pikëpyetje të gjithë nismën, e cila u prezantua si një instrument për pastrimin e borxheve dhe formalizimin e ekonomisë, por që aktualisht mbetet e pezulluar për shkak të kundërshtimeve mbi rreziqet që mbart. /Pamfleti

paqe fiskale rama

Lini një Përgjigje