
Fishekzjarre, brohoritje dhe festë në selinë e Partisë Demokratike pas përfundimit të numërimit të votave që rikonfirmuan Sali Berishën në krye të PD-së. Kreu demokrat doli para mbështetësve duke e cilësuar procesin një “votëbesim masiv”, ndërsa premtoi se edhe votat kundër do të “mbahen shënim”.
Pas publikimit të rezultateve paraprake, sipas të cilave Berisha mori mbi 97% të votave në procesin ku garonte pa rivalë, selia blu u kthye në atmosferë feste me fishekzjarre dhe thirrje mbështetëse për liderin historik të demokratëve.
Në fjalën e tij, Berisha falënderoi demokratët për mbështetjen, por ndaloi edhe te votat kundër dhe abstenimet që dolën në proces.
“Jam këtu për të shprehur mirënjohjen e pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokratë që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të PD. Një mirënjohje të veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe. I garantoj se vota e tyre ndryshe, kundër apo abstenim qoftë, do të mbahet shënim në kuptimin e asaj që do të bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi këtë proces “votimin më të rëndësishëm” për demokratët dhe tha se Partia Demokratike del më e fortë nga ky referendum.
“Ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Kanë zgjedhur PD më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj. Siç votuam ne sot, do të votojnë shqiptarët nesër. Ky është betimi ynë!”, u shpreh ai.
Berisha nuk kurseu as sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për mungesë legjitimiteti.
“Edi Rama, dije mirë se për këtë ushtri 40 mijëshe, ti ke zero legjitimitet! Ti, kudo që të shkosh, në hënë e prapa diellit, shkon një hajdut i shpërfytyruar”, tha Berisha.
Procesi i votimit në PD u shoqërua gjatë gjithë ditës me debate të forta politike, akuza për mungesë gare reale dhe pretendime për manipulim të pjesëmarrjes, pasi Berisha ishte kandidati i vetëm në garë për drejtimin e partisë.
Nuk me harrohet thenia e Kuksianeve legjendare per Tropojanet: 'Karaduzi Bajram Currit s'ja hap rrugen Centaurit.' Pyesni si eshte historia kur ndertohej Fierza e do qeshni me te madhe.
Ore nuk po kuptoj; berisha fitoi zgjedhjet parlamentare dhe do jetë kryeministër , apo thjesht rehatoi të ndenjurat e familjes dhe një grupi lëpirësish që ka në parlament. Po pse s' ju ha mortja more të mjerë. Po kaq nuk e kuptoni që atij si plas fare as për popull as për demokratë dhe për as kënd.