
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Borizanë të Krujës, ku Bilbil Maja dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga pjesëtarë të fisit Rraja.
Meta shprehet se dhuna ndaj qytetarëve është fytyra e Edi Ramës dhe regjimit kriminal. Ai tha gjithashtu se është domosdoshmëri jetike që ngjarja të zbardhet sa më shpejt dhe autorët të vihen para drejtësisë.
“Dhuna shokuese e Krujës kundër dy qytetarëve paqësorë ka emrin dhe fytyrën e Edi Ramës dhe regjimit kriminal që ai ka instaluar në çdo qelizë të shtetit dhe institucioneve të kapura.
Mosveprimi i Policisë të Shtetit dhe drejtësisë është kthyer në detyrim ndaj të fortëve të “Rilindjes”, që grabisin zgjedhjet për t’i zgjatur jetën një regjimi antiligjor dhe çnjerëzor që dhunon çdo ditë të drejtat dhe sigurinë e përditshme të të gjithë qytetarëve.
Hetimi i menjëhershëm i kësaj ngjarje tronditëse dhe vendosja përpara përgjegjësisë ligjore e autorëve të saj jashtë ndikimeve politike dhe presioneve të pushtetit është domosdoshmëri jetike për sigurinë e çdo qytetari!”, shkruan Meta në Facebook.
Lini një Përgjigje