
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në vendin tonë ka reaguar në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Greke për rastin e Belerit. Sipas Ministrisë së Jashtme, deklarata të tilla nuk kanë vend dhe injorojnë realitetin demokratik pasi qeveria e Shqipërisë nuk burgos dhe as paraburgos askënd.
"Kemi ndjekur me keqardhje deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë Greke lidhur me rastin Beleri. Siç e kemi deklaruar në vijimësi, publikisht por edhe gjatë komunikimeve që kemi pasur me kolegët tanë grekë, deklarata të tilla janë të pavend dhe injorojnë realitetin demokratik dhe të sundimit të ligjit ne Shqipëri.
Qeveria e Shqipërisë as nuk burgos, as nuk paraburgos kënd, sepse Shqipëria është një vend demokratik ku sundon parimi i ndarjes së pushteteve.
Theksojmë me këtë rast se shtetasi shqiptar me kombësi greke Fredi Beleri është subjekt i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit, struktura të krijuara nga Reforma në Drejtësi, e cila është fryt i bashkëpunimit strategjik me SHBA dhe BE.
Qeveria Shqiptare nuk komenton veprimet dhe vendimet e këtyre strukturave. Ky parim vlen në rastin e z. Beleri ashtu si edhe në rastin e çdo qytetari tjetër shqiptar, në Shqipëri aq sa edhe në Greqi apo cilindo vend demokratik në Europë e botë, prandaj e ftojmë Qeverinë e Greqisë të bëjë të njëjtën gjë dhe të presë, ashtu si ne, që drejtësia të bëjë punën e saj” thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje