
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për dhunën barbare të ushtruar nga Fisi Rraja ndaj Bilbil dhe Jashar Majës.
Sipas saj, nuk përbën habi fakti qe familjarët e deputetit të PS, Rrahman Rraja të dhunojnë dhe “sundojnë” si një qeveri paralele pasi pushteti i ka lejuar bandat të kërcënojnë sepse qeveria ka nevojë për një familje të tillë.
Ajo vijon duke thënë se të rinjtë kërkojnë mundësi sipërmarrje kurse sistemi i kësaj qeverie i ofron modelin e gangsterit të lagjes.
Tabaku tha gjithashtu se kjo është arsyeja që të rinjtë largohen nga vendi pasi ky sistem dhunon në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq të kthen në viktimë.
"Lajme në Shqipërinë e 2023: Fisi Rraja rreh me pistoletë në dorë anëtaret e fisit Maja.
Dhuna e më të fortit është kthyer sot normë; dhuna ndaj më të dobëtit është kthyer sot edhe në aftësi politike madje në një sistem të mirëorganizuar që operon nga zyrat e sipërmarrjes dhe ekonomisë deri në lagjet e humbura të vendit. Prandaj nuk ka habi që familjarë të deputetit të zonës, që dukshëm ka një armë më shumë në këtë histori, përfshihet në bizneset e zonës në formën e një bande, punëson në zonë kë dëshiron fisi dhe sundon me urdhër në formën e një qeverie paralele. Të gjitha këto benefite vijnë si pasojë e nevojës që pushteti ka për këtë familje pasi sistemi është i tillë. Sistemi lejon trafikun e drogës dhe bandat që këto të fundit të kërcënojnë dhe blejnë votat.
Ky model i ofrohet Shqipërisë prej 30 viteve. Shqiptarët kanë kërkuar dhe janë përpjekur që të promovojnë vlera të tjera por është sistemi i perfeksionuar në këto 10 vite që ka promovuar anti-vlerat që sot japin shfaqje të shëmtuara.
Të rinjtë kërkojnë mundësi sipërmarrje kurse sistemi i kësaj qeverie i ofron modelin e gangsterit të lagjes. Të rinjtë investojnë në shkollim për të ndërtuar të ardhmen këtu ndërkohë që modeli i shtetit dhe sistemit të ngritur i ofron meritokracinë e bandës dhe të rinjve aty.
Prandaj rinia largohet sepse e ka kuptuar që ky sistem të gllabëron brenda tij apo të godet dhe dhunon me skena të tilla në rastin më të mirë. Mbase, të kthen dhe në një viktimë, në rastin më të keq.
Pra, një histori bandash që të kujtojnë Perëndimin e Largët të filmave Western më shumë se sa vendin ku kryeministri ka ftuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të promovuar Procesin e Berlinit.
Pamje nga dhuna e sotme!", shkruan deputetja e PD.
Lini një Përgjigje