Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, ndodhet sot në Tiranë për takime të nivelit të lartë, në fokus të të cilave është rifillimi i procesit të negociatave për kufirin detar mes dy vendeve, çështje që prej vitesh ka mbetur pezull.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjatë një konference për mediat në selinë blu deklaroi se marrëveshja e arritur para vitit 2013 ishte në interes të të dyja palëve, por sipas tij u sabotua qëllimisht nga kryeministri Edi Rama për interesa të palëve të treta.
Ai shtoi se, sipas tij, “Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka për të sabotuar marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke”.
“Çdo ministër i qeverisë greke është i mirëpritur. Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me vendet fqinj dhe republikën helenike. Problemi për të cilin vjen Dendias është problemi i marrëveshjes së detit. PD ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj këtij problemi të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.
E theksoj se Rama për llogari të palëve të treta bëri gjithçka të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke”, tha ai.
Lini një Përgjigje