TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Mars 2025, 13:15

‘Burrat do i hedhim në fushë, gratë në listë të sigurtë’/ Rama diskuton sot emrat e kandidatëve për deputetë

Shkruar nga Pamfleti
‘Burrat do i hedhim në fushë, gratë në listë
Edi Rama

Sipas Ramës burrat do të hidhen në fushë që të meritojnë mandate duke nënkuptuar pjesën e listave të hapura. Ndërsa në listat e mbyllura do të ketë gra, vajza dhe djem që do të jenë sipas tij forca e të resë.

Ditën e sotme në orën 14:00 do të zhvillohet mbledhja e dytë me dyer të mbyllura e kryeministrit Edi Rama me kabinetin e ministrave dhe grupin parlamentar të PS-së.

Pritet që sot të vijojë diskutimi për organizimin zgjedhor të PS e cila synon fitoren në 11 maj.

Po ashtu ditën e sotme pritet që drejtuesit politikë në qarqe të dorëzojnë listat e përgatitura për kandidatët për deputetë.

Kryeministri Edi Rama takimin do ta zhvillojë me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.

Fokusi sot do të jetë drejtuesit e qarqeve që do të diskutojnë me kryeministrin për kandidatët që kanë përzgjedhur për t’i bërë pjesë të listave për deputetë për zonat që mbulojnë.

Ju rikujtojmë se kreu i PS, në një takim që zhvilloi me gratë dhe vajzat socialiste me rastin e 8 Marsit paraditen e sotme foli për sfidën që ka Shqipëria në 11 Maj dhe barrën e pashmangshme të Partisë Socialiste.

“Ka sfidën për të mos humbur asnjë minutë në një proces ku rrethanat tona të brendshme dhe rrethanat e brendshme të Europës janë bërë 1 dhe për herë të parë mundësia për t’u bërë pjesë e familjes europiane është reale dhe është e gjitha në duart tona, në duart e shqiptarëve”, tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri me dije se si do të hyjë Partia Socialiste në zgjedhje sa i përket listave.

Sipas Ramës burrat do të hidhen në fushë që të meritojnë mandate duke nënkuptuar pjesën e listave të hapura. Ndërsa në listat e mbyllura do të ketë gra, vajza dhe djem që do të jenë sipas tij forca e të resë.

"Ne burrat, ata që kanë marrë nga PS, do i hedhim në fushë që të meritojnë mandate, ndërsa gratë do t’i ndajmë në dy pjesë. Gratë që do të jenë nikoqiret e gjithë këtij procesi të 4 viteve të ardhshme dhe që do ta marrin përfaqësimin e PS me mbështetjen e të gjithëve ne në pjesën e mbyllur të listave dhe pastaj vajzat që do të jenë pjesë edhe e listave të hapura. Ndërkohë që në listat e mbyllura do kemi djem, do kemi vajza, do të kemi gra që janë forca e të resë, janë forca e gruas, janë forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030. Në pjesën tjetër të skuadrës do përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe patjetër edhe të gjithë burrat luftëtarë do jenë aty për të shkuar dhe për të fituar në territor vota për PS”, tha Rama.

Për Tiranën emrat që janë futur në listën e sigurtë kryesohen nga kryeministri Edi Rama, ministrat Ogerta Manastirliu, Lindita Nikolla dhe Olta Xhaçka, si dhe deputetë të njohur si Ervin Hoxhaj, Blendi Gonxhe dhe Erion Braçe. Lista gjithashtu përfshin edhe emra të tjerë si Adea Pirdeni, Albana Koçiu, Igli Hasani, Etilda Gjonaj, Fatmir Xhafaj, Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia, Toni Gogu, Ornaldo Rakipi, Pandeli Majko dhe Helena Kaçe, të cilët janë gjithashtu të përfshirë në këtë garë elektorale.

Ndërkohë në mbledhjen e djeshme e cila ka zgjatur rreth gjashtë orë, në fokus të diskutimeve ka qenë programi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe vota e diasporës. Pjesëmarrësit kanë diskutuar për objektivat e këtij viti zgjedhor, duke përfshirë dhe linjat kryesore të fushatës që do të mbahen nga 11 prilli deri më 11 maj.

Gjithashtu është bërë një vlerësimi i punës së secilit që ishte i pranishëm duke nisur nga ministrat, drejtuesit politikë dhe kryetarët e bashkive. Në mbledhje është folur për çështjen e integrimit të vendit në Bashkimin Europian./ Pamfleti

rama emrat e kandidatëve për deputetë

Lini një Përgjigje