Ambasada e bën të qartë: Nuk do të ketë më para ‘qyl’!
Ambasada e SHBA ka reaguar mbi lajmin që qarkulloi sot në vendin tonë, se urdhri ekzekutiv i presidentit Donald Trump për pezullimin e fondeve ka prekur edhe Shqipërinë. Ambasada i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Jashtme, ku bën me dije se janë pezulluar fondet për rreth 32 organe, duke përfshirë SPAK, KLGJ, KLP, ministritë, bashkitë, etj.
Ambasada e SHBA në Tiranë përmes një reagimi thotë se vendimi është marrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit. Interesit të mediave, ambasada u është përgjigjur duke vënë në dispozicion deklaratën për shtyp të Zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, të datës 26 janar. Ajo aty e bën të qartë se nuk do të ketë më para “qyl”. Këtë qëndim mban edhe ambasada.
“Faleminderit për pyetjen.
Ju referojmë tek deklarata për shtyp e Zëdhënëses së Departamentit te Shtetit Tammy Bruce në dt 26. Më poshtë gjeni variantin shqip të deklaratës:
“Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për shqyrtim. Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën Amerika e Para.
Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort nuk është thjesht gjëja e duhur për t'u bërë, por është një detyrim moral. Sekretari është krenar që mbron investimet e Amerikës me një rishikim të qëllimshëm dhe të kujdesshëm se si ne shpenzojmë dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë vendit.
Mandati i popullit amerikan ishte i qartë – ne duhet të ripërqendrohemi në interesat kombëtare amerikane. Departamenti dhe USAID-i e marrin shumë seriozisht rolin e tyre si kujdestarë të dollarëve të taksapaguesve. Zbatimi i këtij Urdhri Ekzekutiv dhe drejtimi i Sekretarit e çojnë më tej këtë mision. Siç ka thënë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen për tri pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”.
Ju faleminderit”, shprehet ambasada në një reagim për mediat shqiptare.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e urdhrit dhe menjëherë ambasada amerikane në Tiranë u ka dërguar një shkresë institucioneve shqiptare, duke informuar pezullimin e fondeve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje