Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka vepruar në kundërshtim me interesat kombëtare.
Në një konferencë për mediat, Berisha renditi disa raste që, sipas tij, dëshmojnë qëndrimet e kryeministrit në dëm të shqiptarëve, duke u ndalur edhe te roli i tij në samitet ndërkombëtare pas nisjes së luftës në Ukrainë. Sipas Berishës, Rama ka kërkuar që Serbisë të mos i kërkohej vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Sot në takimin me shqiptarët e diasporës, mori fjalën Edi Rama, armiku më i egër i kombit shqiptar pas Enver Hoxhës. Ai është armik i egër i interesit kombëtar, vokacionit perëndimor dhe vetë ekzistencës së shqiptarëve si komb, njëkohësisht edhe hajduti më i madh i të gjitha kohërave, fondeve dhe pasurive publike të këtij vendi. Një ndër analistët më të shquar të Evropës e ka quajtur Ramën për shërbimet që ka bërë Serbisë, si kryeministri më të mirë i këtij vendi pas Nikolla Pashic.
Pas Enver Hoxhës, që deklaronte me krenari se Kosovën ia lamë serbëve, Edi Rama në këto vite pushteti, është tradhtari më i madh i Kosovës dhe kombit shqiptar. Si argat i Vuçiçit, u angazhua direkt në projektin e ndryshimeve kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Pas dështimit të këtij projekti, bashkë me padronin e tij Vuçiç dhe veglën e tyre Zajev, themeluan mini Shengenin, në hartën zyrtare Begrad-Tiranë-Shkup, Kosova paraqitej e integruar brenda hartës së Serbisë së madhe…
Rikthimin në një farë mënyre të mini Jugosllavisë, përfundoi në koshin e turit të historisë pasi u hodh poshtë nga vendet e tjera të rajonit dhe BE. Rama u bë avokati më i turpshëm të Vuçiç dhe Rusisë së vogël në Ballkan pas agresionit rus në Ukrainë, ndërkohë që BE dhe NATO, vendosën sanksione ndaj Rusisë, Rama kalonte nga samiti në samit duke hequr çdo masë dhe insistuar që Serbisë të mos i kërkohej zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë me argumentin absurd se Beogradi nuk mund ti zbatojë ato dhe të mos i kërkohet e të mos i zbatojë.”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje