Liderët evropianë shmangin debatin për anëtarësime të reja nga frika e retorikës populiste dhe ndikimit të së djathtës ekstreme
Frika nga forcat populiste po i shtyn qeveritë evropiane të kundërshtojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian, ndërsa liderët druhen se debati për pranimin e vendeve të reja mund të rikthejë retorika të ngjashme me atë të “hidraulikut polak” dhe të forcojë të djathtën ekstreme.
Vizioni i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një BE të zgjeruar ndjeshëm, që përfshin edhe Ukrainën, po përballet me një pengesë serioze: shumë vende anëtare nuk duan ta diskutojnë këtë çështje.
Frika nga dhënia e argumenteve për populistët, mundësia e referendumeve kombëtare për çdo anëtar të ri dhe përvoja e vështirë me Hungarinë që nga anëtarësimi i saj në vitin 2004, po kontribuojnë në këtë hezitim në disa kryeqytete të BE-së, sipas nëntë diplomatëve dhe zyrtarëve që folën për Politico. Asnjë vend nuk i është bashkuar unionit që nga viti 2013, kur hyri Kroacia.
Zgjerimi, një nismë e udhëhequr nga von der Leyen, ishte parashikuar të diskutohej në një samit të BE-së në Nikozia të Qipros më vonë këtë muaj. Megjithatë, sipas një zyrtari të lartë të përfshirë në përgatitje, është pak e mundshme që kjo temë të përfshihet në axhendë, çka tregon mungesë vullneti nga liderët.
“Zgjerimi duhet të mbetet një proces kërkues dhe i bazuar në meritë për të garantuar suksesin dhe besueshmërinë e tij”, deklaroi për Politico, ministri francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad.
Shqetësimi kryesor i qeverive është reagimi politik që mund të përballet çdo lider që hap debatin për anëtarësime të reja në nivel kombëtar, sipas disa diplomatëve dhe një zyrtari të lartë të përfshirë në proces.
Në shumë kryeqytete ekziston frika e përsëritjes së debatit për “hidraulikun polak”, që parapriu pranimin e Polonisë në vitin 2004, kur disa politikanë argumentonin se fuqia punëtore më e lirë nga Polonia do të zëvendësonte vendet e punës me paga të larta në Evropën Perëndimore.
“Argumente të ngjashme gjysmë-populiste dhe gjysmë-ksenofobe që dëgjuam për polakët ka gjasa t’i dëgjojmë edhe për ukrainasit dhe kandidatët e tjerë”, tha një diplomat nga një vend i mesëm i BE-së, i cili shtoi “kush janë këta njerëz? Çfarë do të bëjnë në klubin tonë? A do të vijnë për të marrë vendet tona të punës?”
Ky shqetësim është veçanërisht i fortë në Francë, ku ligji kërkon zhvillimin e një referendumi për pranimin e çdo anëtari të ri. Një votim për Ukrainën mund të ndikojë në fushatën e liderit të së djathtës populiste, Jordan Bardella, i cili sipas sondazheve mund të fitojë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Megjithatë, Franca nuk është e vetme. Diplomatët e BE-së theksojnë se edhe Gjermania, Holanda dhe Italia këmbëngulin që procesi i zgjerimit të mbetet i rreptë dhe i bazuar në meritë, pa përjashtime për arsye gjeopolitike, edhe pse e kuptojnë presionin mbi vende si Ukraina dhe Moldavia.
“Sigurisht që nuk duam të dobësojmë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, por shumica dërrmuese e vendeve anëtare nuk kanë dëshirë për këtë debat tani”, tha një diplomat i lartë nga një vend i madh evropian.
Fitorja e Peter Magyar në zgjedhjet hungareze, duke i dhënë fund 16 viteve të sundimit të Viktor Orbán, ringjalli shpresat se Budapesti mund të zbusë kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Ukrainës. Megjithatë, Magyar ka sinjalizuar se nuk mbështet përshpejtimin e këtij procesi.
Një tjetër shqetësim i shpeshtë është përvoja me Hungarinë si një partner që shpesh pengon vendimmarrjen. Pas anëtarësimit në vitin 2004, vendi është akuzuar për kufizimin e demokracisë dhe për mbajtjen e lidhjeve me Rusinë, si dhe për bllokimin e mbështetjes evropiane për Ukrainën.
Pranimi i vendeve të reja ngre gjithashtu frikën për hyrjen e “kuajve të Trojës” që mund të përdorin të drejtën e vetos. Për këtë arsye, Komisioni Evropian synon të reformojë procesin, për shembull duke kufizuar të drejtën e vetos për anëtarët e rinj për disa vite pas pranimit.
Pak kohë më parë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, përmes një editoriali në median gjermane, hodhën propozimin për një përshpejtim të procesit të anëtarësimit, pa të drejtë vetoje, por kjo ide është refuzuar në mënyrë kategorike nga Brukseli.
Rama në anën tjetër flet me nota optimiste për integrimin, ndërsa akuzon opozitën se me akuzat e saj po hedh baltë mbi Shqipërinë. Por opozita akuzon Ramën se ka bllokuar procesin e integrimit me ndërhyrjet dhe pengesat që po i bën drejtësisë në ndjekjen e zyrtarëve të lartë.
Por në analizën që Politico i bën procesit, Shqipëria duket se ka mbetur jashtë "liste", teksa vëmendja ndalet tek Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. Këto dy të fundit si vende që mund të anëtarësohen për shkak të zhvillimeve gjeopolitike.
Duke marrë parasysh klimën politike në kryeqytetet kryesore të BE-së, von der Leyen deklaroi se mbështet heqjen e rregullit të unanimitetit, i cili aktualisht lejon një vend të vetëm të bllokojë procesin e anëtarësimit.
Ndërkohë, edhe Mali i Zi, i cili ka përmbushur pothuajse të gjitha kushtet për anëtarësim, po përballet me vonesa në fazat përfundimtare, pasi vendet anëtare nuk bien dakord për hapin e radhës: hartimin e traktatit të anëtarësimit.
Kjo situatë paraqet sfida edhe për Ukrainën, e cila e sheh anëtarësimin në BE si një garanci sigurie ndaj agresionit të ardhshëm rus. Një marrëveshje e mundshme paqeje mund të përfshijë perspektivën e anëtarësimit deri në vitin 2027, si një stimul për opinionin publik ukrainas.
Megjithatë, vendet e BE-së kanë kundërshtuar një përshpejtim të tillë, duke refuzuar një qasje radikale që do të shkurtonte afatet e pranimit. Edhe pse disa vende si Suedia dhe Danimarka mbështesin përfundimin e negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm, hapja e fazës përfundimtare kërkon miratimin e vendeve të mëdha anëtare.
“Ende nuk jemi në atë pikë”, përfundoi një zyrtar i lartë i BE-së. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje