Nga samiti i Diasporës, Kryeministri Edi Rama, nuk ka nguruar të thumbojë opozitën, lidhur me atë që e konsideron si nxirje të emrit të Shqipërisë në gjuhë të huaj, në arenën ndërkombëtare.
Prej javësh, Rama akuzon opozitën se po bën çdo përpjekje për të penguar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa vendi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord.
“Sot ne i kemi çelur të gjithë kapitujt dhe e kemi bërë këtë në vetëm 11 muaj. Ky progres është rezultat i këmbënguljes dhe përpjekjeve të vazhdueshme të vendit në procesin e integrimit evropian”, tha Rama.
Ai e krahasoi rrugëtimin e Shqipërisë me përvojën e emigrantëve shqiptarë, duke thënë se si në të kaluarën ata përballeshin me vështirësi dhe mungesë vëmendjeje në vendet ku shkonin, edhe Shqipëria ka hasur sfida të ngjashme në procesin e integrimit.
“Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë grup-kapitujt, në një kohë rekord, për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe askush s’kishte kohë, besim, dhe vëmendje, për t’ju dëgjuar dhe kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, dhe pasi fshihnit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes duke qenë në pritje për të qenë gati për derën kur të hapej. Në Samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot është një tryezë ku jemi të ulur bashkërisht, ballë për ballë, me ambicien për të mbyllur negociatat në 2027-ën”, tha Kreu i Qeverisë.
Rama theksoi se pandëshkueshmëria në Shqipëri ka marrë fund, duke i dhënë fund, sipas tij, kohës kur ligji vepronte vetëm për të dobtin ndërsa i forti e sfidonte.
“Sot pandëshkueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës, që nga 1912-ta, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam shpatën që i takon vetëm duarve të saj, për të bërë drejtësi të barabartë, për të gjithë, pa kursyer askënd", tha Rama.
Një mesazh Rama ka drejtuar edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë që të investojnë në pronat e të parëve të tyre, ose në vendin e tyre të origjinës.
“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj. Ajo jeton kudo ku jetojmë shqiptarët. Përtej historive tuaja individuale të suksesit, mbajtët të lidhur fillin e padukshëm, një fije që asnjë distancë se këput dot, e përbërë nga gjuha që flitet në shtëpi, traditat dhe kujtimet që kalohen nga baba te nëna, te vajza dhe djali. Ky fill nuk është nostalgji, por aseti ynë strategjik. Është sfida që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot, për ta mbajtur dhe ruajtur, përcjellë brez pas brezi në një botë të ndërlidhur. Në një botë ku vendet kanë sukses, janë pjesë e një ekosistemi të vetëm.
Ky samit nuk është mbledhje ceremoniale, por deklaratë e bindjeve të larta. Diaspora nuk është në periferi të jetës së Shqipërisë, por në zemër të saj. Ky vend është kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në investime, për të ardhmen e Shqipërisë. Kur nisëm të mendonim për samitin e parë të Diasporës, ishte një moment ritakimi në një vend plot shpresë të rilindur. Ishte hap i parë për të thirrur fuqinë e Diasporës, për t’u ndjerë më të fortë përballë të përpjemes që duhet të ngjisnim, ku sot jemi më afër se kurrë.
Pararardhësi im sa herë hynte në Shqipëri, e numëronte veten si turist. 300-400 mln euro investime në vit kishte asokohe, ndërsa sot kaloi 1.2 mld euro investime të huaja në vit. Ne i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi, për të gjithë, pa kursyer askënd! Atëherë i mbyllej dera drejt BE, sot i kemi mbyllur të gjitha kapitujt në 11 muaj, në kohë rekord. Njësoj si ju kur ju mbyllej dera në duart e botës, dhe askush nuk kishte kohë”, tha ai.
Lini një Përgjigje