Ndonëse dikur quhej dënim politik, tashmë burgu që bëri Salianji është karta më e fortë që përdoret kundër tij për ta ndaluar të kandidojë...
E vetmja gjë demokratike brenda Partisë Demokratike duket se është emri që mban, pjesa tjetër ngjan me një bunker të kohës së diktatorit Enver Hoxha, çelësat e së cilës mbahen nga Sali Berisha dhe një grusht njerëzish që i rrinë përreth, duke mos lejuar frymën e re për të depërtuar dhe rifreskuar atë.
Kjo gjë u bë e qartë pas publikimit të procedurës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike. Pavarësisht se në dukje, lejimi i zhvillimit të këtij procesi tregon një formë demokracie brenda partisë, kushtet e caktuara për këtë garë shfaqin një pasqyrë komplet tjetër.
Në udhëzimin e PD-së për zgjedhjet janë përcaktuar kriteret që duhet të ketë kandidati për kreun e Partisë Demokratike, ku krahas kontributit politik, bie në sy edhe fakti që ndalohet kandidimi i personave që janë të dënuar me një vendim të formës së prerë, siç është rasti i Ervin Salianjit.
PD-ja kishte paralajmëruar ndalimin e Salianjit për të kandiduar me justifikimin se është vetëpërjashtuar, pas njoftimit të sotëm misioni i tyre është arritur.
“Kriteret për kandidatët për Kryetar të PDSH-së janë: 1-Anëtar i Partisë Demokratike, figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik, me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10 vjeçar në Partinë Demokratike. 2- Të ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike. 3-Të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr. 138/2015 "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike"”, thuhet në njoftim.
Ndonëse dikur quhej dënim politik, tashmë burgu që bëri Salianji është karta më e fortë që përdoret kundër tij për ta ndaluar të kandidojë. Pavarësisht dëshirës së Salianjit për të marrë pjesë në garë, kriter i vendosur nga Berisha ia ndalon atij një gjë të tillë.
Ky ishte gjithashtu dhe mesazhi që Berisha, me rastin e zgjedhjeve brenda partisë, u përcolli të gjithë atyre që guxojnë t’i dalin kundër dhe tentojnë t’i marrin partinë; përjashtim dhe bllokim në proceset brenda PD-së.
Një tjetër manovër për këtë garë tashmë dukshëm fiktive është edhe afati i vendosur për dorëzimin e kandidaturave. Udhëzimi u publikua sot në mesditë dhe afati përfundon nesër në orën 12:00, duke u lënë fare pak kohë atyre që duan të marrin pjesë për të dorëzuar kandidaturat e tyre.
“Afati për depozitimin e kërkesës për kandidim, së bashku me dokumentacionin përkatës sipas parashikimeve të Statutit të PDSH-së, Rregullores së Brendshme të Partisë Demokratike dhe Kodit të Etikës, është data 30 Prill 2026 ora 12:00”, thuhet në njoftim.
Panorama është mëse e qartë. Partia Demokratike është pronë private e Berishës dhe asgjë nuk mund të ndodhë brenda saj pa urdhrin e tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje