Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas aksioneve të fundit policore kundër rrjeteve të call center-ave në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një nga qendrat kryesore të mashtrimeve ndërkombëtare ndaj qytetarëve të huaj.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha ka deklaruar se përhapja e këtyre strukturave në vend nuk është rastësore dhe se, sipas tij, lidhet me mbështetje politike.
“Shqipëria është shndërruar në epiqendrën e zhvatjes së miliarda eurove të pensionistëve nga vende të ndryshme të botës. Përhapja e këtyre zyrave plaçkitëse si kërpudha kudo në Shqipëri ka vetëm një arsye: lidhjen e tyre me Olsi Ramën”, shprehet Berisha.
View this post on Instagram
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Europol dhe Eurojust kanë publikuar detaje nga operacioni i zhvilluar më 13 prill në Tiranë, ku u godit një rrjet i gjerë call center-ash të përfshirë në mashtrime financiare ndaj qytetarëve europianë.
Në kuadër të këtij operacioni, autoritetet shqiptare kanë lëshuar masa sigurie “arrest me burg” për 7 persona, ndërsa për 2 shtetas është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për paraqitje”. Gjithashtu, 5 persona janë arrestuar në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.
Sipas hetimeve, viktimat josheshen përmes reklamave të rreme për investime në rrjete sociale dhe platforma online që paraqiteshin si të besueshme. Pasi regjistroheshin, ata kontaktoheshin nga persona që prezantoheshin si këshilltarë financiarë dhe që më pas merrnin akses në distancë në llogaritë e tyre.
Përmes presionit psikologjik, viktimat nxiteshin të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha, ndërsa fondet nuk investoheshin realisht, por transferoheshin në një rrjet ndërkombëtar të pastrimit të parave.
Sipas Europol, këto call center-a funksiononin si struktura të organizuara në mënyrë të ngjashme me kompani legjitime, me punonjës të ndarë sipas gjuhëve të ndryshme si gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht dhe spanjisht, për të rritur besimin e viktimave.
Lini një Përgjigje