Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kosovë me shpërbërjen e Parlamentit dhe zgjedhjeve të reja.
Sipas Bushatit, procesi i zgjedhjes së Presidentit kërkon një kompromis të gjerë politik dhe se kjo mbetet për tu parë nëse do t’ia dalë Parlamenti i ri.
“Parlamenti i Kosovës ka dështuar të zgjedhë presidentin. Kosova do të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme, jo më vonë se 45 ditë. Mbetet të shihet përbërja e parlamentit të ardhshëm dhe nëse ai do të jetë në gjendje të zgjedhë presidentin. Një proces që kërkon një kompromis të gjerë politik”, shkruan Bushati në një postim në X.
Ndërkohë ish-presidentja Vjosa Osmani ditën e sotme ka reaguar përmes një videoje të publikuar në Facebook ku i ka bërë thirrje popullit të Kosovës për t’u bashkuar në një “mision” për “hapjen e rrugëve të mbyllura nga padrejtësitë”.
Dështimin e djeshëm të Kuvendit për të zgjedhur presidentin dhe rrjedhimisht dërgimin në zgjedhje të reja, Osmani e ka quajtur “natë të rëndë për Kosovën”.
“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngrihet edhe nga momentet më të rënda. Ka ardhur momenti që të japim dashuri për vendin tonë, mjaft më me propagandë, me urrejtje e përçarje, e ndjellje të frikës. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm dashuri për njëri-tjetrin dhe vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Të bashkohemi në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli”, thotë Osmani.
Gjatë dy ditëve që u zhvilluan seancat (27-28 prill), opozita bojkotoi vazhdimisht duke bërë që në sallë të mbeteshin vetëm deputetët e Vetëvendosjes dhe duke mos plotësuar kuorumin e nevojshëm. Në sallë duhet të ishin të paktën 80 deputetë, ndërsa ndodheshin 64.
Lini një Përgjigje