TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Prill 2026, 18:43

Vendimi i gjykatës, Maliqi: Celibashi shkelje flagrante me Kreshnik Hajdarin, lejoi vijimin e mandatit

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i gjykatës, Maliqi: Celibashi shkelje flagrante me Kreshnik

Ish-deputeti Lefter Maliqi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke akuzuar institucionet për shkelje ligji dhe vonesa të qëllimshme në trajtimin e rastit.

Në një postim në rrjetet sociale, Maliqi u shpreh se vendimi i Gjykatës së Lartë është i qartë, pasi sipas tij, Hajdari duhej të ishte shkarkuar më herët dhe të përballej me drejtësinë.

“Gjykata e Lartë ka folur qartë. Hajdari duhet të ishte shkarkuar dhe përballur me drejtësinë shumë më herët për shkak të dënimeve dhe kallëzimeve ndaj tij”, theksoi ai.

Ish-deputeti shtoi se ky vendim konfirmon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vepruar në shkelje të ligjit duke lejuar vijimin e mandatit të kryebashkiakut.

Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, duke pretenduar se është shmangur marrja e një vendimi përmes procedurave të pezullimit.

“Sipas tij, vendimi konfirmon se KQZ ka shkelur ligjin duke lejuar vijimin e mandatit të Hajdarit”, thuhet në reagim.

Maliqi theksoi gjithashtu se ligji për dekriminalizimin është i qartë dhe nuk lë hapësira për interpretim në raste të tilla.

“Ligji për dekriminalizimin është i qartë: fshehja e një dënimi penal të formës së prerë çon automatikisht në humbjen e mandatit”, u shpreh ai, duke pretenduar se Hajdari ka fshehur një dënim nga gjykatat greke.

Postimi i Lefter Maliqit: 

Gjykata e Lartë foli qartë: Hajdari i bashkisë së grabitur të Kuçovës duhet të ishte shkarkuar, arrestuar dhe burgosur me kohë, pasi mbi të rëndojnë dënime dhe 10 kallëzime në SPAK!

U konfirmua se KQZ ka shkelur ligjin duke ndihmuar mbajtjen e mandatit të grabitur nga Kreshnik Hajdari në Bashkinë Kuçovë.

Ky vendim gjyqësor përkthehet thjesht: KQZ, nën drejtimin e Ilirjan Celibashit, nuk zbatoi ligjin dhe shmangu me vetëdije vendimmarrjen për mandatin e Kreshnik Hajdarit, kryetar i Bashkisë Kuçovë. Në vend që të zbatonte vendimin detyrues të KAS dhe të merrte një vendim për mandatin e Hajdarit, Celibashi zgjodhi të “blejë kohë” me një shpikje procedurale – pezullimin e çështjes (procedurë që nuk kishte ndodhur në rastet e dekriminalizimit).

Por ligji i dekriminalizimit është i qartë: fshehja e një dënimi penal të formës së prerë sjell humbjen e mandatit. Kaq e thjeshtë. Nuk kishte asnjë nevojë për manovra apo për shtyrje artificiale. Kreshnik Hajdari ka fshehur dënimin e tij nga gjykatat greke. Kaq mjaftonte për t’i hequr mandatin e Bashkisë Kuçovë.

Ndërkohë, edhe pas vendimit penal të formës së prerë për falsifikim formulari nga Gjykata e Posaçme, institucionet vijuan të heshtin. Këshilli i Ministrave, në vend që të mblidhej dhe të ndërmerrte procedurën për shkarkimin e një kryetari bashkie të dënuar, nuk reagoi fare. Edhe kjo është një paligjshmëri e rëndë.

Pra, për vite me radhë, u krijua një zinxhir shkeljesh nga shumë institucione të shtetit: mosveprim i qëllimshëm nga KQZ dhe heshtje e pajustifikueshme nga Këshilli i Ministrave.

Kreshnik Hajdari nuk ka mundur ta mbrojë as juridikisht dhe as moralisht këtë mandat të grabitur në vitin 2023 nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe opozita e bashkuar. Dhe kjo u provua në çdo shkallë gjykimi.

Kjo histori është një shembull i pastër i abuzimit me detyrën: shkelje ligji, zvarritje e qëllimshme dhe deformim i vullnetit të qytetarëve të Kuçovës.

Për 3 vite, vota e qytetarëve të Kuçovës në favorin tim u mbajt peng.

Sot është e qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe çdokush që ka shpërdoruar detyrën do të mbajë përgjegjësi herët a vonë, nga i pari tek i fundit, për veprimet apo mosveprimet me të cilat kanë shkelur ligjin, kanë abuzuar me detyrën dhe kanë dëmtuar interesat e zgjedhësve të Kuçovës dhe demokracinë shqiptare.

lefter maliqi gjykata e lartë kreshnik hajdari

Lini një Përgjigje