TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Prill 2026, 17:38

Kreshnik Hajdari rrezikon mandatin, Gjykata e Lartë detyron Celibashin të marrë vendim për kryebashkiakun

Shkruar nga Pamfleti
Kreshnik Hajdari rrezikon mandatin, Gjykata e Lartë detyron Celibashin
Kreshnik Hajdari në SPAK, i shoqëruar nga avokati

KQZ nuk mund të bëjë manovra lidhur me formularin e dekriminalizimit të Hajdarit...

Kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, rrezikon mandatin. Edhe pse Ilirjan Celibashi i KQZ e shmangu si rast dhe nuk mori një vendim mbi fshjhen e dënimit të tij në Greqi, Gjykata e Lartë ka rikthyer çështjen për shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar një vendimmarrje përfundimtare lidhur me vlefshmërinë e tij në detyrë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë rrëzon rekursin e paraqitur nga Hajdari dhe lë në fuqi qëndrimin e mëparshëm të gjykatës administrative, duke theksuar se çështja nuk mund të zgjidhet pa një akt përfundimtar nga KQZ. Sipas arsyetimit, për aq kohë sa institucioni zgjedhor nuk është shprehur qartë nëse kryebashkiaku preket apo jo nga ligji i dekriminalizimit, gjykata nuk ka bazë për të dhënë një vendim mbi thelbin.

Në vendim nënvizohet se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por vetëm procedural, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim tek Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Për këtë arsye, tashmë i takon KQZ-së, nën drejtimin e Ilirjan Celibashit, të vendosë nëse Hajdari duhet të vijojë apo jo ushtrimin e detyrës.

"Në rastin konkret, vendimi nr. 01, datë 05.01.2024, nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes, por e ka kthyer çështjen për rishqyrtim pranë KSHZ. KAS nuk ka nxjerrë një akt përfundimtar në kuptimin material, por një vendim procedural që shfuqizon vendimin e Komisionerit dhe e kthen çështjen për rishqyrtim pranë tij. Akti administrativ që kundërshtohet nuk përcakton të drejta përfundimtare dhe, si i tillë, nuk e mbyll procedimin. Në rastin konkret, KAS e ka kthyer çështjen për rishqyrtim te Komisioneri, i cili duhet të vendosë nëse është rasti për pezullimin e shqyrtimit, derisa gjykata të marrë vendim të formës së prerë lidhur me kallëzimin për falsifikim të formularit nga ana e subjektit vetëdeklarues dhe nëse vendimi i GJKKO-së ka marrë formë të prerë, për sa u deklarua në seancë përgatitore nga palët, të shprehet përfundimisht nëse paditësi përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë. Sa më sipër u arsyetua, gjykata vlerëson nxjerrjen e çështjes administrative jashtë juridiksionit gjyqësor të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e shqyrtimit administrativ pranë organit administrativ, Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve", thuhet në vendim.

Çështja lidhet me mosdeklarimin e një dënimi të mëparshëm nga ana e Hajdarit në formularin e vetëdeklarimit gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në këtë dokument, ai kishte deklaruar se nuk kishte qenë i dënuar më parë, ndërkohë që më vonë autoritetet greke konfirmuan një vendim të vitit 1999, ku ai ishte shpallur fajtor për hyrje të paligjshme në territorin grek, në një kohë kur ishte 17 vjeç.

Për mosdeklarimin e këtij fakti, Hajdari u dënua në janar të vitit 2024, pas një hetimi të nisur nga SPAK. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse ky dënim dhe rrethanat përkatëse e përfshijnë atë në ndalimet e ligjit të dekriminalizimit.

Në këtë kontekst, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se procesi duhet të vijojë në rrugë administrative, duke ia kaluar përgjegjësinë për vendimmarrje përfundimtare KQZ-së. Vendimi i këtij institucioni pritet të jetë përcaktues për fatin politik të kryebashkiakut të Kuçovës.

kreshnik hajdari kqz

Lini një Përgjigje