TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Prill 2026, 14:40

Përplasjet me Trump, NATO drejt reduktimit të Samiteve; rrezikohet edhe “ëndrra” e Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Përplasjet me Trump, NATO drejt reduktimit të Samiteve; rrezikohet
Rutte dhe Trump

Aleanca shqyrton uljen e frekuencës së takimeve për të shmangur tensionet politike dhe për të reduktuar presionin për rezultate të menjëhershme

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk humb asnjë rast për të kritikuar aleancën ushtarake transatlantike NATO. Kjo ka një arsye të thjeshtë, ndryshe nga institucionet amerikane, ku ai është mësuar të japë urdhra sipas dëshirës, në NATO ai nuk mund të veprojë në të njëjtën mënyrë dhe ta përdorë aleancën për planet e tij. Për këtë arsye, ai kërcënon rregullisht me tërheqjen e SHBA-së nga NATO, edhe pse një veprim i tillë do të përballej me pengesa të mëdha.

Sipas informacioneve nga burime të brendshme, NATO tani po shqyrton mundësinë që të mos i mbajë më samitet çdo vit. Qëllimi është të shmangen takimet që perceptohen si të pakëndshme dhe të sikletshme me Trump, veçanërisht në vitin e fundit të pritshëm të mandatit të tij. Këtë e raporton agjencia Reuters, duke iu referuar 6 personave të njohur me zhvillimet. Sipas tyre, disa shtete anëtare po kërkojnë një cikël më të gjatë mes samiteve.

Samiti i vitit të ardhshëm është planifikuar të mbahet në Shqipëri, por çdo gjë mbetet e hapur, nëse NATO vendos të reduktojë takimet e përvitshme. Dhe nëse ndodh një anulim të mbajtjes së Samiteve në 2027 dhe 2028, sikundër kërkohet nga disa vende, kjo do të thotë që NATO të shmangë prezencën e Trump në takime të tilla, që shpesh kanë prodhuar debate dhe kritika të forta nga administrata Trump ndaj vendeve Aleate.

Vendimi për të mbajtur Samitin e NATO-s në Tiranë në 2027 është marrë në qershor të 2025-ës, madje Kryeministri Edi Rama ka ngritur edhe një grup ndërinstitucional që do të merret me organizimin sa i takon palës shqiptare dhe marrjen e masave, për pritjen e delegacioneve të vendeve anëtare të Aleancës.

Task-Forca kryesohet nga Kryeministri dhe, në mungesë të tij, nga Koordinatori Kombëtar për organizimin e samitit, i emëruar me urdhër të Kryeministrit. Task-Forca ka në përbërje anëtarë nga disa dikastere, si ministri i Jashtëm, i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtori i SHISH etj.

Mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë është konsideruar si një "ëndërr" për Kryeministrin Edi Rama, që do të kishte fatin të mikpriste liderët më të fuqishëm të Botës, anëtarë të Aleancës, eventi i parë i këtyre përmasave në Shqipëri. 

Por nëse do të ketë një reduktim të Samiteve, atëherë çdo gjë vihet në pikëpyetje. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë dhe duhet të merret nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Përveç faktorit Trump, burimet përmendin edhe një arsye tjetër: presionin e lartë. Diplomatët dhe analistët kanë kohë që vlerësojnë se samitet vjetore rrisin presionin për të prodhuar rezultate të bujshme dhe shpesh e largojnë fokusin nga planifikimi afatgjatë. “Më mirë më pak samite sesa të dobëta”, citohet të ketë thënë një diplomat.

Një përfaqësues i NATO-s deklaroi për Reuters se aleanca do të vazhdojë të mbajë takime të rregullta të krerëve të shteteve dhe qeverive. Mes samiteve, aleatët do të vijojnë konsultimet dhe planifikimet e përbashkëta. Në historinë 77-vjeçare të aleancës, takimet në nivel të lartë janë zhvilluar me frekuenca të ndryshme. Megjithatë, që nga viti 2021, liderët janë mbledhur çdo verë.

Këtë vit, samiti është planifikuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara. Trump ka sulmuar vazhdimisht aleancën me 31 anëtarët e saj. Së fundmi, ai akuzoi disa aleatë se nuk e kanë mbështetur mjaftueshëm SHBA-në në konfliktin me Iranin. Pasi aleatët nuk dhanë ndihmën e kërkuar prej tij, Trump vuri hapur në pikëpyetje nëse SHBA duhet të vazhdojë t’i përmbahet detyrimit për mbrojtje kolektive dhe kërcënoi me tërheqje nga NATO.

Në samitin e vitit 2025 në Hagë, ai kërkoi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shtetet anëtare ranë dakord për një kompromis: 3.5 për qind për mbrojtjen bazë dhe 1.5 për qind për investime të lidhura me sigurinë. Fakti që takimi përfundoi pa përplasje të mëdha u konsiderua një sukses nga pjesëmarrësit. /Pamfleti/



nato trump samitet

Lini një Përgjigje