Deputeti socialist pranon problemet e ngritura nga Spiropali dhe flet për nevojën e riorganizimit dhe hapjes së partisë...
Nuk ka qetësi brenda Partisë Socialiste, teksa debatet dhe zërat kritikë vijojnë të dalin në sipërfaqe.
Pas shqetësimeve të ngritura më herët nga Elisa Spiropali, edhe deputeti socialist Erion Braçe ka artikuluar publikisht rezervat e tij për mënyrën se si funksionon partia.
Braçe pranoi se brenda PS-së ka individë që kanë përfituar poste dhe privilegje pa i merituar plotësisht, duke theksuar se një pjesë e socialistëve kanë mbetur pa vlerësimin që u takon. Ai u shpreh se partia ka investuar tek individët dhe jo e kundërta, ndërsa shtoi se shumë anëtarë të thjeshtë kanë pritur më shumë nga angazhimi i tyre ndër vite.
I pyetur në “Top News” mbi përplasjet e fundit dhe konkretisht mbi raportin me Spiropalin, Braçe shmangu komentet për emra të veçantë, por pranoi se shqetësimet e ngritura prej saj janë reale dhe ndahen edhe nga të tjerë brenda partisë. Sipas tij, diskutimet e fundit tregojnë se ekziston një seri problemesh që kërkojnë zgjidhje.
Ai theksoi se vetë fakti që në PS po flitet për “rienergjizim”, hapje dhe më shumë demokraci të brendshme, është një pranim i drejtpërdrejtë se partia ka nevojë për reflektim dhe ndryshim. Megjithatë, Braçe u shpreh i rezervuar për të bërë publike debatet e brendshme, duke theksuar se “gjërat e shtëpisë” duhet të mbeten brenda saj.
-Dje ka pasur diskutime brenda PS-së. Përplasja në distancë apo edhe ballë për ballë e asaj ajo që ndodh në PS. Keni ju një mendim për zërat e ndryshëm në PS-së, një koment që u diskutua dje ishte ai që mund të ketë bërë Rama drejtuar Elisa Spiropalit: “PS-ja dhe unë jemi investuar tek ti, ti nuk do të flasësh më”.
Erion Braçe: PS ja ka investuar tek ne jo ne tek PS-ja.
-Te Spiropali në këtë rast
Erion Braçe: Unë flas për veten, nuk preferoj të flas për emra. Unë mendova që gjëja nuk po i thuhej vetëm zonjës Spiropali, por edhe mua ose të tjerëve në sallë. Unë vazhdoj të jem deficitar në PS. Në PS ka shumë njerëz që nuk e kanë pasur mundësinë që unë kam pasur. Janë socialistë të thjeshtë, në etapa të ndryshme, por edhe ata kanë pritur nga PS dhe nuk kanë marrë atë që meritonin.
-Ka të tjerë që kanë marrë më shumë se çfarë kanë merituar?
Erion Braçe: Patjetër që ka plot.
-A është Spiropali rast i tillë?
Erion Braçe: Nuk jam unë të bëj gjykatësin e kontributeve në PS. Mendoj që është partia që përmes proceseve demokratike t’i japi atë që meritojnë.
-A ka përplasje brenda PS mes Spiropalit dhe Ramës?
Erion Braçe: Për çfarë? Nuk preferoj të flas për gjërat e shtëpisë. E ka parim timin që gjërat e shtëpisë mbeten në shtëpi, nuk dalin jashtë. Zonja Spiropali ka ngritur disa shqetësime që edhe qëndrojnë, edhe për mua qëndrojnë edhe për të tjerë aty, edhe për kryeministrin qëndrojnë. Në momentin që themi që duhet të rienergjizojmë PS, që duhet ta hapim PS, duhet ta bëjmë më demokratike, praktikisht kemi pranuar një seri problemesh që duhen kuruar.
Lini një Përgjigje