TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Qershor 2026, 10:35

Khrag “ishulli i ndaluar”; pse Trump i anuloi bombardimet e reja ndaj Iranit në limite

Shkruar nga Pamfleti

Ekspertët paralajmërojnë se në rast të një sulmi ndaj sektorit energjetik iranian, Teherani mund të zgjerojë listën e objektivave duke përfshirë edhe infrastrukturë kritike rajonale, si impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm miliona banorë në vendet e Gjirit.

Khrag “ishulli i ndaluar”; pse Trump i anuloi bombardimet e reja
Krag “ishulli i ndaluar”

Vetëm tre orë para nisjes së një operacioni të ri ushtarak amerikan ndaj Iranit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka vendosur ta anulojë sulmin, duke përmendur përparimin në negociatat me Teheranin dhe mundësinë e një marrëveshjeje për uljen e tensioneve.

Sipas NBC News, në momentin kur Trump bëri publik vendimin e tij, forcat e armatosura amerikane kishin përfunduar tashmë planifikimin operacional për ndërhyrjen. Objektivat ishin përzgjedhur, ndërsa Marina amerikane kishte përshtatur planet dhe kishte përgatitur municionin për ekzekutimin e sulmeve.

Raporti thekson se, nëse do të ishin realizuar, sulmet do të ndiqnin një model të ngjashëm me operacionet e kryera dy net më parë ndaj disa objektivave ushtarake iraniane. Megjithatë, ndryshe nga deklaratat publike të presidentit për mundësinë e veprimeve të mëtejshme, objektivi strategjik i Ishullit Kharg nuk ishte përfshirë në listën e planit operacional.

Sipas NBC, vendimi i papritur për anulim shkaktoi konfuzion brenda komandave ushtarake, të cilat tashmë ishin në gatishmëri të plotë për nisjen e operacionit. Ishulli Kharg, një nga qendrat kryesore të eksportit të naftës së Iranit dhe nyje strategjike e ekonomisë së vendit, ka qenë në fokus të retorikës së fundit politike për shkak të rëndësisë së tij energjetike. Ai përpunon pjesën dërrmuese të eksporteve iraniane të naftës dhe konsiderohet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.

Analistët paralajmërojnë se çdo goditje ndaj kësaj infrastrukture do të kishte pasoja të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike, duke rritur rrezikun e përshkallëzimit në rajonin e Gjirit Persik dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Ndërkohë Presidenti amerikan, deklaroi se është arritur një “marrëveshje e madhe” me Iranin dhe se nënshkrimi mund të bëhet që këtë fundjavë në Europë, ndërsa sipas burimeve diplomatike një memorandum mirëkuptimi mes Washingtonit dhe Teheranit mund të firmoset në fillim të javës së ardhshme. Trump shtoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes pritet të rihapet edhe Ngushtica e Hormuzit.

Pse SHBA-të kanë në shënjestër ishullin Kharg të Iranit?

Khrag “ishulli i ndaluar”; pse Trump i anuloi bombardimet e reja

Ishulli Kharg, një territor i vogël shkëmbor i vendosur rreth 24 kilometra nga bregdeti iranian në Gjirin Persik, konsiderohet pika më e rëndësishme për eksportet e naftës së Iranit.

Rreth 90 për qind e naftës bruto iraniane transportohet përmes terminalit të naftës në këtë ishull, ku arrin nëpërmjet tubacioneve nga kontinenti. Terminali është ndërtuar për të pritur supertankerë me kapacitet deri në 2 milionë fuçi naftë, të cilët më pas transportojnë ngarkesat drejt tregjeve ndërkombëtare, kryesisht në Kinë, blerësi më i madh i naftës iraniane.

Për shkak të rëndësisë ekonomike dhe strategjike, Ishulli Kharg përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më 13 mars se Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) kishte zhvilluar një nga operacionet më të fuqishme ajrore në Lindjen e Mesme, duke goditur objektiva ushtarake në Ishullin Kharg.

Sipas Trump, SHBA-ja vendosi të mos sulmonte infrastrukturën e naftës në ishull për të shmangur dëmtime afatgjata në ekonominë iraniane.

“Ne mund ta bëjmë këtë brenda pesë minutash. Mjafton një urdhër i vetëm dhe tubacionet do të zhdukeshin. Por rindërtimi i tyre do të kërkonte shumë kohë”, deklaroi ai më 16 mars.

CENTCOM njoftoi se forcat amerikane goditën më shumë se 90 objektiva ushtarake, duke përfshirë depo minash detare, bunkerë raketash dhe instalime të tjera ushtarake, ndërsa infrastruktura energjetike u la e paprekur.

Nga ana tjetër, media shtetërore iraniane raportoi se objektet e naftës nuk pësuan dëme. Agjencia gjysmëzyrtare Fars tha se sulmet kishin në shënjestër sistemet e mbrojtjes ajrore, një bazë detare, kullën e kontrollit të aeroportit dhe një hangar helikopterësh.

Pas sulmeve, autoritetet lokale në provincën Bushehr deklaruan se eksportet e naftës vazhdonin normalisht.

Pse SHBA i shmang objektivat energjetike?

Analistët vlerësojnë se shkatërrimi i infrastrukturës energjetike në Ishullin Kharg do të kishte pasoja të rënda për ekonominë iraniane, por njëkohësisht do të përbënte një përshkallëzim të madh të konfliktit.

Një sulm i tillë mund të shkaktonte rritje të ndjeshme të çmimeve globale të naftës dhe të nxiste Iranin të ndërmerrte kundërmasa ndaj infrastrukturës energjetike në vende të tjera të Lindjes së Mesme.

Pavarësisht muajve të konfliktit, Irani vazhdon të ruajë kapacitete të konsiderueshme për lëshimin e dronëve me kosto të ulët dhe ngarkesa të mëdha shpërthyese kundër objektivave rajonalë dhe trafikut detar në Gjirin Persik.

Ekspertët paralajmërojnë se në rast të një sulmi ndaj sektorit energjetik iranian, Teherani mund të zgjerojë listën e objektivave duke përfshirë edhe infrastrukturë kritike rajonale, si impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm miliona banorë në vendet e Gjirit.

krag “ishulli i ndaluar”

Lini një Përgjigje