
Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli duke komentuar situatën brenda opozitës tha se ajo ka nevojë për reflektim ose në të kundërt do të përballet sërish me refuzimin e qytetarëve.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, ai akuzoi Bashën dhe Berishën si dy fajtorët kryesorë të përçarjes së PD-së, që sipas tij me kauzat personale po e dërgojnë opozitën drejt shuarjes.
“Opozita shqiptare është mbërthyer në një krizë të fortë prej vitesh, por kriza është bërë më akute, më e mprehtë sidomos pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 dhe pas refuzimit total të elitës që është opozita kryesore për të reflektuar në raport me ndryshimet që ka pësuar shoqëria shqiptare, nevojën që ka shoqëria shqiptare për një përgjigje të re politike. Ky refuzim, refuzimi i Bashës bashkë me Berishën dhe përdorimi i kauzave personale për t’i zënë fytin mundësisë për tu shprehur opozita e thellojë dhe më tepër këtë krizë”, tha ai duke theksuar se opozita është refuzuar nga votuesit dhe ka mbetur në ambiciet personale të politikanëve.
I pyetur se nëse kjo krizë brenda të djathtës mund të jetë një shans për daljen në skenë të një lidershipi të ri, Kadilli tha se ka pak të ngjarë të ndodhë një gjë e tillë. Sipas tij PD po ndjek të njëjtën linjë si qeveria duke e atribuuar të gjithë pushtetin te lideri. Ai shtoi se si PD ashtu dhe rithemelimi sillen rreth një 1 person, respektivisht Berisha dhe Basha.
“Sigurisht që është një shans, por 2 janë pengesat. E para ajo që unë e quaj opozita zyrtare, pra opozita e punësuar e cila ka shumë mjete. Ne si opozitë nuk u refuzuam thjesht se nuk ditëm të themi gjërat e duhura, por sepse dallojmë shumë pak nga pushteti. Sepse nëse pushteti ecën me kultin e njëshit, të një sulltanati siç është Edi Rama, e njëjtë gjë ndodh edhe në PD të Rithemelimit, por edhe në pjesën tjetër. Nuk dallojmë dot në model me ata. Ata që kanë ndjekur Berishën duke menduar politikisht që ky ia del, ka talent, zotësi, ka mbështetje, ta provojmë. Data 14 maj iu dha rezultatin se zgjedhja e tyre ishte e gabuar, do vazhdojnë ta ndjekin? Nëse do vazhdojnë ta ndjekin do të thotë që nuk e kanë pas arsye politike, por personale”, tha ai duke iu refezuar kultit të individit si dhe akuzave për korrupsion.
Ndërsa sa i takon rikthimi të mundshëm të Bashës në Krye të PD-së, Kadilli tha se ai ka një pëlqyeshmëri të ulët.
“Besueshmëria të Basha është absolutisht shumë e ulët, por është beteja e tij. Beteja e tij thotë pak, por ka vetëm një start”, tha ai duke theksuar se Basha duhet të largohet nga modeli i “Berishizmit” dhe të reflektojë për ata që ishte para se të tërhiqej.
Lini një Përgjigje