Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur AKSHI-n për interesa private, duke e cilësuar institucionin si një “kopsht privat” dhe “pishinë peshkaqenësh”.
Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se ligji për prokurimet në fushën e kibernetikës është hartuar, sipas tij, në funksion të përfitimeve të familjarëve të kryeministrit, duke përmendur konkretisht kunatin dhe baxhanakun e tij.
Ai ndaloi veçanërisht te rasti i Armand Frangut, të cilin e identifikoi si baxhanakun e kryeministrit, duke pretenduar se ky i fundit ka përfituar një tender prej 75 milionë eurosh për Inteligjencën Artificiale, që sipas tij nuk ekziston.
“Përveçse sa vidhte Armand Frangu, që mori për inteligjencën artificiale 75 mln euro dhe ajo nuk ekziston, inteligjenca artificiale e Frangut është njëlloj si historia e djegësit të Tiranës, as nam e as nishan nuk ka, por nuk mjafton kjo, por e të tjerët duhet të paguanin gjoba të majme. Si ka mundësi, pse ndodh kjo. Tenderat në fushën e Hi-Tech, janë tendera që mund të spekulohet në mënyrën më të jashtëzakonshme, në këtë fushë mund të luhet me çmimet në mënyrë më të paimagjinueshme, urdhëroni, tenderi 75 mln euro për përmirësimin e inteligjencës artificiale që nuk ekziston”, tha Berisha.
Sipas kreut të opozitës, sektori i teknologjisë së lartë është veçanërisht i ekspozuar ndaj abuzimeve për shkak të vështirësisë në verifikimin e kostove dhe shërbimeve të ofruara.
Lini një Përgjigje