TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 9 Janar 2024, 17:42

Ngushtohet laku për Ilir Beqajn, ish-ministri del nga SPAK pas 9 orësh; në ditët në vijim sërish në pyetje

Shkruar nga Pamfleti
Ngushtohet laku për Ilir Beqajn, ish-ministri del nga SPAK pas 9
Beqaj pasi doli nga SPAK

Beqaj u mor sot për të tretën herë në pyetje dhe po ashtu i është bërë e ditur se do të thirret sërish, çka dëshmon se laku po ngushtohet…

Nis të ngushtohet laku për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ai ka dalë pas afro 9 orësh nga dera e SPAK, ku është pyetur gjatë gjithë ditës për aferën me koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale.

Në orën 17:40 ai doli nga SPAK i vrenjtur në fytyrë. Beqaj tentoi të heqë përgjegjësinë nga vetja, duke kërkuar nga SPAK që të thellojë hetimet përtej tij, madje duke shkuar edhe te qeveria "Berisha". Atij i janë vënë para fakte dhe një raport i KLSH, ku tregohet se në vitin 2013 kur Beqaj u bë ministër, ishte një laborator sterilizimi i sapo krijuar.

Ai është pyetur se përse nuk vuri në punë laboratorin, por zgjodhi një koncesion. Mirëpo Beqaj tentoi ta kalojë topin diku tjetër. Beqaj tha se hetimet duhet të ndahen në dy faza, ajo nga marsi i 2011 deri në shtator 2013 kur u ngrit qendra e sterilizimit pranë QSUT-së dhe ecuria e koncesionit pas zbatimit. Beqaj konfirmoi atë që shkroi "Pamfleti" sot, se kërkon hetimin e Ogerta Manastirliut. Ai u shpreh se duhet të heteohet se si u zbatua koncesioni. 

Po ashtu Beqaj konfirmoi se do të ketë seanca të tjera ku do të merret në pyetje, çka dëshmon se laku po ngushtohet. 

Nisja e atyre çfarë pretendohet në masën e sigurisë ndaj meje, janë raportet e KLSH-së. Gjithashtu besoj se hetimet, janë ende shumë të ngushta. Është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë. Së pari, nga marsi i 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vite e gjysmë u mbajt në qese ai central dhe nuk u vu në punë. Por, tashmë janë bërë 8-vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj kontrate. Sot komunikuam me prokurorët dhe më konfirmuan që do të kem ato sende që m'u sekuestruan më 28 tetor, por që lidhen me vazhdimin e sterilizimit, dy dokumente udhëtimi me jashtë shtetit që sot i mora dhe e dyta pasi të përfundojnë inspektimet elektrike të pajisjeve do të më kthehen. Sot u sqarua që gazi dhe aneksi 8, kanë lidhje me sterilizimin dhe asgjë tjetër”, tha Beqaj. Mësohet se Beqajt në seancat e tjera të pyetjeve do i vihen para raporte të KLSH dhe duket se tani ish-ministri do të zhvendoset me “qira” te SPAK.

Por tani në provë është dhe SPAK. Beqaj po merret në pyetje dhe po dalin çdo ditë prova aferash, mirëpo ai qendron në detyrim paraqitje, ndryshe nga sa ka ndodhur me shumë emra të tjerë që ndodhen sot në qeli.

Kur SPAK kërkoi detyrim paraqitje për të, gjyqtari Erion Bani në vendimin e tij kërkoi që të thellohen hetimet ndaj Beqajt dhe të kërkohet një masë sigurie më e rëndë. Sipas vendimit, Beqaj cilësohet si përgjegjës kryesor dhe SPAK e amnistoi duke e lënë në detyrim paraqitje.

Në vendimin prej 303 faqesh për seancën e marrjes në pyetje të Beqajt më 20 nëntor në gjykatë, konstatohet se kontrata koncesionare nuk është lidhur bazuar në procedurat ligjore dhe arsyetohet se ish-ministri Beqaj ka shkelur ligjin gjatë procesit të negocimit të kontratës, duke shtuar dëmet për shtetin dhe favoret për kompanitë private.

Përplasja mes gjyqtarit Bani dhe prokurorëve të SPAK për rolin e ish-ministrit Beqaj në koncesionin problematik të sterilizimit nuk ndodh për herë të parë. Në gusht të këtij viti, emri i Beqajt mungoi në kërkesat për masë sigurie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa Bani vlerësoi se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tij.

Sipas gjykatës, pas hetimeve shtesë të bëra nga prokuroria duke administruar aktet e ekspertimit të telefonave të personave nën hetim, krijohet bindja se Beqaj ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar Komisioni i Dhënies me Koncesion. Bani shkon më tej në arsyetimin e tij, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Beqaj ka cilësinë e organizatorit në këtë veprimtari kriminale të dyshuar për dhënien e koncesionit të sterilizimit fituesit të paracaktuar.

Bazuar në këto rrethana, gjykata çmon se Beqaj duhet të procedohet jo vetëm për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, por edhe për veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë, i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burgim nga tre deri në 7 vjet. /Pamfleti

Lini një Përgjigje