A është në këtë rast Manastirliu një ‘kokë turku’, për të zbutur edhe fortunën mbi shokun e vjetër të kryeministrit, Ilir Beqaj?
Ilir Beqaj, ka disa ditë që po përdor kanale mediatike pranë mazhorancës për të dalë nga rrethimi gjyqësor që SPAK i ka vënë me hapjen e dy çështjeve ndaj tij. Atë të shpërdorimit të detyrës me anë të hetimit të sterilizimit dhe Check-Up-it, por edhe të korrupsionit pasiv e aktiv, e pastrimit të parave, nëpërmjet hetimit të restorantit luksoz në qendër të Tiranës, për të cilin flitet prej kohësh se është i ish-ministrit.
Në këtë aksion, Ilir Beqaj ka dhënë një sinjal të rëndësishëm. Ndryshe nga të gjithë socialistët e hetuar apo ndjekur nga SPAK, ish-ministri i Shëndetësisë ka rezultuar se është i vetmi eksponent që ka marrë mbrojtje politike. Natyrisht jo direkte, por indirekte dhe shumë të rëndësishme. Për të dhënë një mesazh edhe në SPAK, por edhe në radhët e mazhorancës.
Në SPAK për të treguar se Ilir Beqaj, i mbrojtur nga qarqe të mazhorancës po e konsideron veten anti-Berisha, pra kërkon të njëjtin trajtim homolog me ish- presidentin dhe e ish-Kryeministrin; dhe nga ana tjetër i tregon lobeve brenda mazhorancës që kujdes kur më sulmoni. Kam me vete ata mekanizma që varen “nga lart”.
Por Beqaj u thotë këtyre qarqeve të cilëve u dërgon sinjal se “nuk kanë parë gjë akoma”. Pasi i jep një adresë të re hetimi, madje edhe më VIP se ai. Përkatësisht një ministre në fuqi të qeverisë së Edi Ramës. Përkatësisht Ogerta Manastirliun, ministren aktuale të Arsimit, e cila ka qenë edhe ministre e Shëndetësisë për më shumë se një mandat, si dhe drejtore e QSUT për një mandat tjetër. E qarqet mediatike me lidhje vertikale me kuzhinën e propagandës së Ramës po i bëjnë të ditur SPAK-ut se nëse nuk ke gjetur të dhëna për të goditur Ilir Beqajn me sterilizimin, ke një adresë të re. Duke i thënë se Manastirliu ka rritur dhe zgjeruar edhe në sasi dhe cilësi kontratën e sterilizimit. Pra i ka dhënë më shumë para nga buxheti kompanisë koncensionare. Ky fakt nuk është aspak një vogëlsi, por një goditje e fortë. Që përforcohet edhe me mbajtjen e panatyrshme të Ogerta Manastirliut nga Edi Rama në qeveri, duke i dhënë ministrinë e Arsimit. Një dikaster, që nuk ka jo shumë, po aspak lidhje me interesat e njohuritë e ministres Manastirliu. E cila deri tani nuk ka hartuar asnjë strategji për arsimin, por është përqendruar tek disiplina, orari e menaxhimi.
Po përse Rama e riemëroi Manastirliun në kabinetin e tij, kur kishte më shumë se një të dhënë se mund të ishte pjesë e hetimeve për koncensionet në shëndetësi?
Ndryshe është të hetohet një ish-ministër e ndryshe një ministër në detyrë. Ç’ka mund të konsiderohet realisht si “sakrificë” e madhe e mazhorancës, për të kërkuar një hetim të fortë në krahun tjetër. Që Rama e ka deklaruar se pret 21 janarin.
A është në këtë rast Manastirliu një ‘kokë turku’, për të zbutur edhe fortunën mbi shokun e vjetër, Ilir Beqaj? Bathët po tregojnë, po duhet pritur…/Pamfleti
Lini një Përgjigje