Drama e falimentit të industrisë së lehtë do të bëjë që shumë shpejt edhe aty ku krimi nuk ka pasur dorë në ekonominë e qyteteve, të marrë revanshin dhe qindra mijëra punëtorë do dalin në rrugë...
Pas paralajmërimeve e deklaratave të vazhdueshme të fasonëve për falimentimin, kanë nisur edhe rezultatet tragjike.
Një nga aktorët më të mëdhenj të industrisë së lehtë në Shqipëri, ka humbur klientin më të rëndësishëm botëror. “Cotonella”-n e famshme italiane, e cila ka zhvendosur porositë e saj për veshje intime nga Shkodra në Uzbekistan.
Ditët e ardhshme, pritet të ketë lajme edhe më të rënda në sektorin e industrisë së lehtë.
Disa qytete, si Shkodra, e kanë pasur jetike prej gati 30 vitesh prodhimin e veshjeve për kompani të njohura europiane, pasi janë të punësuar një numër i madh, kryesisht gra në këtë sektor.
Kjo industri, jo vetëm që ka mbajtur në një nivel jo të ulët gjendjen e familjeve të qytetit, por ka kontribuar edhe në aspektin social, pasi një grua e punësuar i shërben si emancipimit ashtu edhe shëndetit të familjeve. Pa përmendur këtu edhe çështjet e shëndetit mendor që krijohen nga papunësia.
E gjitha kjo që po ndodh, jo vetëm është një tragjeti e paralajmëruar, por ka një fajtor të madh, ose më mirë dy që janë qeveria dhe Banka e Shqipërisë. Të cilët, të tërhequr nga babëzia për cash nga qarqe të panjohura që po injektohen në Shqipëri me shumicë, kanë lënë të shkatërrohet një industri të tërë.
Prodhuesit me mall porositësi, pra fasonët, nuk se janë një sektor pa probleme për faje të tyre. Ku mund të renditet edhe fenomeni i pagave të ulëta apo mos sigurimi i punëtorëve.
Por ky fenomen nuk është i shtrirë në të gjithë industrinë, e nuk është absolut. Përshembull në industritë e shtrira në Shkodër, ku jo vetëm kompania e Gjergj Liqejzës, por edhe mjaft të tjera punojnë për emra të njohur, kanë pasur një nivel mesatar e të lartë pagesash. Ndërkohë që nuk ka ekzistuar asnjëherë problemi i mospagesës së sigurimeve shoqërore.
Qeveria, me anë të një vendimi populist, vendosi një mënyrë lineare e standard të pagës minimale, duke mos diskutuar e mos diversifikuar mënyrën e mbledhjes së taksave.
Kjo sepse edhe mënyra e pagesës së punëtorëve në sektorin e industrisë tekstile nuk ka qenë standarde. Përgjithësisht është përdorur pagesa me normë, pra sipas copës apo numrit të palëve, vlerësohej edhe shpërblimi. Kjo mënyrë ka motivuar mjaft punonjëse për të rritur prodhimin e për tu paguar më mirë. Si rrjedhojë, edhe porositë nga kompanitë e mëdha rriteshin, e kështu është siguruar një jetëgjatësi e këtij sektori jetik.
Ulja e vlerës së euros në mënyrë drastike ka çuar menjëherë në impas të gjithë eksportuesit, duke humbur miliona euro me një dorë, e duke dobësuar kështu edhe aftësitë për të paguar punëtorët.
Investimet që po ndodhin në ndërtime si në Tiranë, por edhe në zonat turistike, apo edhe projektet fantazmë si ato të porteve dhe aeroporteve, gjithashtu kanë sjellë para të dyshimta nga vendet jashtë.
Qeveria as që e ka vënë ujin në zjarr për industrinë e lehtë, e duket se këtë e bën me qëllim, në mënyrë që fuqia punëtore e liruar të shërbejë në industrinë e re të turizmit. Ku gratë që janë trajnuar e specializuar në vite për të qepur apo stiluar rroba, të punojnë pastruese në restorante e hotele, ngaqë kamariere nuk ka gjasa të pranohen. Ngaqë kërkohen përgjithësisht të rinj që arrijnë të punojnë me orare të gjata.
Ky është një akt tipik antipopullor, por edhe antiekonomik, ngase industria e lehtë është e provuar që jep një zhvillim të qëndrueshëm ndër vite.
Italia e Spanja, janë dy shembuj model sesi janë rritur duke qenë dy nga prodhuesit më të mëdhenj të veshjeve në Europë. Atje është shteti që ndihmon jo vetëm me politika fiskale, por duke pasur sindikatat e artizanëve dhe industrisë fasone në bordet e përpunimit të këtyre politikave.
Drama e falimentit të industrisë së lehtë do të bëjë që shumë shpejt edhe aty ku krimi nuk ka pasur dorën e ekonomisë së qyteteve, të marrë revanshin./Pamfleti
Lini një Përgjigje