TAGS-AT E JAVËS

Editorial 3 Janar 2024, 13:39

Berisha si Shesheli; Rama si Vuçiçi

Shkruar nga Pamfleti
Berisha si Shesheli; Rama si Vuçiçi
Fati i përbashkët /

Fati i përbashkët i dy liderëve në Beograd me atë të dy liderëve në Tiranë...

Vojislav Sheshel, lideri i radikalëve serbë, përjetoi pak para përfundimit të 2023-shit një telash tjetër gjyqësor. Gjykata e Hagës, hapi një padi të re ndaj tij. Lirimi i fundit nga burgu ndodhi për shkaqe shëndetësore dhe moshe.

I damkosur ‘Non- Grata’ nga i gjithë Perëndimi, Sheshel megjithatë nuk u largua nga politika. Edhe pse partinë ja morën dy delfinët e tij Tomislav Nikoliç dhe Aleksandër Vuçiç, ai mbajti pas vetes një grusht fanatikësh që e ndjekin me nostalgji.

Vijon të jetë një formacion minor, edhe pse i zhurmshëm, por me një relevancë zero në politikën serbe.

Këtë vit, radikalët nuk hynë as në parlament, ndërsa Vojislavi del shpesh në televizion duke bërë si analist.

Në realitet, përvoja e madhe ja jep mundësinë që të analizojë më me kompetencë.

Aleksandër Vuçiç, i ardhur në pushtet në vitin 2012, ka më shumë se 12 vite që është kthyer në padronin e vendit më të madh në Ballkan.

Por në fund të vitit të shkuar, e gjithë bota Perëndimore e damkosi si një lider që manipulon vrazhdë zgjedhjet, vetëm për të mbajtur të gjitha pushtetet.

Kjo damkë i ka ardhur për Beogradin, ku janë zbuluar fare hapur se 40 mijë banorë që jetojnë në Republika Srbska, janë sjellë në kryeqytetin serb për të votuar si qytetarë të tij.

Beogradi është edhe piaca ku gjallon më fort qëndrimi liberal dhe properëndimor i opozitës serbe. Aty pritet edhe të nisë e të zhvillohet beteja për të rrëzuar Aleksandër Vuçiçin, i cili tashmë është i damkosur si një lider antidemokratik.

Shumë shpejt opozita serbe do të gjejë edhe një lider të denjë, ku sipas të gjitha gjasave, një dorë po e luan edhe Perëndimi, e në veçanti Gjermania e Olaf Shchols-it, e cila e ka marrë në patronazh Ballkanin Perëndimor.

Fatet e dy liderëve të Serbisë, ngjajnë thuajse si pika uji me atë të dy politikanëve më të rëndësishëm të vendit: Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Sali Berisha, i shtyrë në moshë e i damkosur nga Perëndimi si ‘Non- Grata’, sot ndodhet në arrest shtëpie për një dosje korrupsioni. Shumë shpejt, ai do të jetë i angazhuar me të tjera telashe gjyqësore për dosjet që SPAK po heton ndaj tij dhe dy fëmijëve.

Politikisht relevanca e Sali Berishës është zero. 14 maji i vitit të shkuar tregoi se ai nuk arrin të bëhet shumicë në asnjë bashki, madje as në bastionet e vjetra të së djathtës. Megjithatë, doktori ka pas vetes një tufë mbështetësish fanatikë, të cilët janë zvogëluar gjithnjë e më shumë. I përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së që nga viti 2021, Sali Berisha nuk ka arritur dot të ketë kontrollin politik të opozitës. E cila megjithatë ka pësuar mjaft dëme nga goditjet që ja japin vazhdimisht njerëzit e tij.

Me hapjen e dosjeve të tjera, sasia e njerëzve që e ndjekin do të zvogëlohet edhe më shumë. Formacioni politik i doktorit, për inerci, do të vijojë aktivitetin, e mund të hyjë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Që sipas gjasave do të shënojnë edhe ‘zerimin’ politik të tij.

Praktikisht, Sali Berisha ka pasur e do të ketë gjithnjë e më shumë fatin politik të Vojislav Sheshelit. Fat që si për të parin, edhe për të dytin, i projektuan amerikanët me një ekzaktësi kirurgjike, e me faza të përcaktuara.

Ndërkaq, Edi Rama, ashtu si Vuçiç për amerikanët, u konsiderua si politikani kujdestar për të zbatuar planin evropian në Ballkanin Perëndimor, për të hequr municionet e lëna nga influenca ruse.

Rama është përkrahur nga amerikanët, pasi ka qenë PS e cila lejoi instalimin e reformës në Drejtësi, por politikisht është mbajtur përgjithësisht nën kontroll.

Edhe pse Shqipëria ka pasur rol më të rritur diplomatikisht, për të inkurajuar aleatët e Perëndimit në Ballkan që janë shqiptarët, ai nuk e ka parë asnjëherë Zyrën Ovale në Uashington. Benefit protokollar që SHBA i japin aleatëve më të besuar.

Zgjedhja e Altin Dumanit në krye të SPAK, me praninë live të ambasadores Yuri Kim, ishte një sinjal politik të një lufte të SHBA me Ramën, i cili synonte të zgjidhte një tjetër kandidat.

Më pas, Gjuetia e SPAK-ut ndaj peshqve të mëdhenj të pushtetit po intensifikohet, e shpejt do të ketë edhe “pezzi grossi”. Me një apo 2 goditje të mëdha fare, edhe pse mund të mos preket direkt Edi Rama, fuqia dhe legjitimiteti i tij shkrihen si ‘kripa në ujë’, e “kështjella socialiste” do të rrëzohet si një kala rëre. Përdorimi i kartës së zgjedhjeve të parakohshme nga Rama, nëpërmjet sinjaleve indirekte, është një armë me fuqi të vogël.

E para sepse bëhet vetëm një vit nga zgjedhjet e planifikuara, pra nuk ka ngutje, dhe e dyta, aktivizimi procedurial nuk është aq i lehtë për Edi Ramën, ngaqë do të duhet lëvizja e Presidentit Bajram Begaj. I cili edhe pse ka qenë luajal me qeverinë për dekretime, ka shumë gjasa që të mos lejojë një lëvizje destabilizuese, për më tepër që nuk dëshirohen nga amerikanët. Të cilët kanë qenë sponsorët e parë të kreut të shtetit.

Edhe nëse e bën Rama në mënyrë të sforcuar, SPAK mund të lëshojë “dronët bërthamorë” që të krijojë një ‘tabula rasa’ në mazhorancë.

Jo më kot, Altin Dumani përmendi në takimin e fundit me gazetarët, aktivizimin e dosjes Mcgonigal. Dosje që së paku do të çojë në zyrat e SPAK kryeministrin e Shqipërisë. E vetëm ky realitet e shkrin pushtetin absolut të Ramës, i cili e di mirë se ka ardhur koha të shpallë fundin e tij. Ndryshe, fati i “Sheshelit shqiptar” shërben si pasqyrë për të parë fatin e tij./Pamfleti

berisha shesheli rama vuçiç fati i përbashkët

Lini një Përgjigje

Editorial