
Gjykata e Apelit në Ankona po shqyrton çështjen ndaj Fatah Melloul, i dënuar me 18 vite burg për vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar Klajdi Bitri. Prokuroria kërkon konfirmimin e fajësisë, duke kundërshtuar pretendimet për vetëmbrojtje.
Në seancën e sotme, Prokurori i Përgjithshëm Roberto Rossi theksoi se krimi nuk mund të konsiderohet vetëmbrojtje, por një akt i qëllimshëm pas një konflikti për trafik.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi më 27 gusht 2023 në Sirolo, pas një debati ku një algjerian 29-vjeçar, Fatah Melloul, vrau një shqiptar 23-vjeçar, Klajdi Bitri, me një pushkë me shtiza.
Pas krimit, i pandehuri u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua disa orë më vonë nga karabinierët në Falconara, teksa kthehej nga bregdeti ku kishte qenë me të dashurën.
Në shkallën e parë, Melloul u dënua me 18 vite burgim. Gjatë seancës së Apelit, Melloul kërkoi një rishikim të akuzës në vetëmbrojtje.
“Ne jemi qenie njerëzore dhe qeniet njerëzore bëjnë gabime. Nuk e di se si mund të ketë ndodhur. Ishte një ditë e nxehtë dhe nuk munda të kuptoja asgjë. Mora shtizën për t’i trembur vizualisht; nuk e kuptova që dikush kishte vdekur”, u shpreh ai para gjykatës
Ai kërkoi gjithashtu falje. “I kërkoj falje Bashkisë së Sirolos, ku kalova disa momente të mrekullueshme", tha algjeriani.
Avokati i tij mbrojtës kërkoi uljen e akuzës, duke argumentuar për rrethana lehtësuese.
Vendimi i Gjykatës së Apelit pritet të shpallet më 10 qershor. Ndërkohë, familja e viktimës ka nisur një padi civile përmes një firme ligjore në Itali.
Lini një Përgjigje