Seanca e sotme për “Plumbin e Artë” u shoqërua me tensione dhe përplasje të drejtpërdrejta mes mbrojtjes dhe trupës gjykuese në GJKKO. Në qendër të debatit ishte kërkesa e avokatëve për ndryshimin e trupës që po shqyrton çështjen.
Avokatja Elda Zotaj, e cila përfaqëson Altin Ndocin, kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve, duke argumentuar se kërkesat e saj procedurale nuk po shqyrtohen. Ajo këmbënguli veçanërisht në thirrjen e dëshmitarëve që, sipas saj, mund të ndikojnë në zbardhjen e çështjes në favor të të pandehurit.
“Do t’i drejtohemi KLGJ-së dhe institucioneve të tjera, pasi po shkelet ligji dhe po shpërdorohet detyra”, deklaroi avokatja.
Debati mes palëve u përshkallëzua deri në atë pikë sa avokatja vendosi të largohej nga salla e gjyqit. Në këto kushte, trupa gjykuese vendosi vijimin e procesit duke caktuar një avokat kryesisht, për të garantuar mbrojtjen e të pandehurit.
Në të njëjtën seancë, mbrojtja paraqiti disa dëshmitarë. Ndër ta ishte edhe Genta Gosa, e cila dëshmoi për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019 në Peqin, ku mbeti i vrarë Andi Zylyfi.
Ajo mohoi çdo lidhje të bashkëshortit të saj me ngjarjen, duke theksuar se nuk ka pasur konflikte mes familjeve. "Marrëdhëniet kanë qenë të mira dhe pa probleme”, u shpreh Genta Gosa.
Altin Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, veçanërisht pas arratisjes nga spitali rajonal i Durrësit në janar të këtij viti. Procesi ndaj tij është pjesë e dosjes së njohur si “Plumbi i Artë”, një nga çështjet më të ndjekura në drejtësinë e posaçme.
Lini një Përgjigje