Është ekstraduar nga Italia, Aleks Ndreka i njohur ndryshe si "Leksi i druve"....
Aleks Ndreka, i njohur ndryshe si “Leksi i druve”, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, ku ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Ndaj tij, në korrik të vitit 2023, ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, nën dyshimet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, si dhe për sigurim kushtesh dhe mjetesh për kryerjen e vrasjeve.
Sipas policisë, 49-vjeçari Aleks Ndreka akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.
"Policia e Shtetit/Vijon si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, operacioni i koduar “The Wanted”. Siguroi kushtet për vrasjen e tre shtetasve shqiptarë, në vitin 2017, ekstradohet nga Italia, 49-vjeçari.
Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.", njofton policia.
Kush është Aleks Ndreka?
Aleks Ndreka (Deda), i njohur ndryshe si “Leksi i druve”, konsiderohet një personazh i njohur në botën e krimit, kryesisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës. Ai është një nga 15 personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Sipas dosjes hetimore, ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, dyshohet se ka kërkuar vrasjen e Ndrekës, pasi e konsideronte të përfshirë në ndihmën për ekzekutimin e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
Në të njëjtën dosje janë zbardhur komunikime që tregojnë se Behar Bajri kishte angazhuar Aleks Ndrekën dhe Prek Kodrën për të mbledhur informacion mbi vendndodhjen e Dorian Dulit dhe Genc Tafilajt. Të dhënat e siguruara i përcilleshin Bajrit përmes aplikacionit “Sky”, ndërsa ky i fundit aktivizonte një grup personash të armatosur për realizimin e atentateve.
Në një deklarim të tij, Tafilaj ka pohuar se gjatë varrimit të Indrit Rrajës është takuar me Aleks Ndrekën dhe Dorian Dulin.
Ndërkohë, nga hetimet rezulton se vetë Ndreka ka qenë objekt i disa tentativave për vrasje, përfshirë edhe metoda të sofistikuara si përdorimi i dronëve, të cilat kanë dështuar. Dyshohet se këto tentativa lidhen me konflikte të mëparshme, përfshirë edhe dyshimet për përfshirjen e tij dhe Ardian Nikulajt në futjen e Durim Bamit për ekzekutimin e Aleksandër Ndokës.
Atentati i parë ndaj tij është regjistruar më 30 qershor 2020, ndërsa i dyti në dhjetor të po atij viti, kur u qëllua me armë zjarri një automjet “Audi”, duke e lënë të plagosur. Pavarësisht këtyre ngjarjeve, ai arriti të mbijetojë.
Pas këtyre sulmeve, Ndreka u largua nga Shqipëria, duke deklaruar para grupit hetimor se nuk kishte konflikte të drejtpërdrejta me persona të caktuar. Ai u rikthye në vend më 6 mars 2022, por vetëm një ditë më pas u përball sërish me një atentat, sapo doli nga një lokal.
Po në mars 2022, ai i shpëtoi një tjetër sulmi, këtë herë falë një xhupi me pupla që i zbuti goditjen e plumbave. Pas kësaj, Ndreka u mor në pyetje nga SPAK, i cili kërkoi mbrojtje për të dhe familjen e tij.
Autoritetet vendosën shërbim 24 orë pranë banesës së tij, ndërsa janë regjistruar edhe disa tentativa të tjera për eliminimin e tij me dron. Në një rast, efektivët që patrullonin zonën konstatuan një dron dhe kërkuan përforcime, duke zbuluar një tjetër tentativë atentati.
Tentativa e fundit me dron është raportuar më 7 prill, ndërsa, pavarësisht ngritjes së një grupi hetimor, nuk janë arritur rezultate për identifikimin e autorëve apo origjinës së pajisjes.
Lini një Përgjigje