Autoritetet greke kanë zhvilluar një aksion antidrogë që çoi në konfiskimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe arrestimin e tre personave.
Në pranga përfunduan dy shtetas grekë, të moshave 59 dhe 50 vjeç, si edhe një shtetas shqiptar 35-vjeçar. Ata akuzohen për posedim dhe trafikim droge.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti mbi 26 kilogramë kokainë dhe më shumë se 360 kilogramë kanabis, në forma të ndryshme. Sipas përllogaritjeve, vlera e lëndës narkotike në treg arrin rreth 2.5 milionë euro.
Hetimi paraprak tregon se 59-vjeçari kishte siguruar drogën dhe vepronte edhe për llogari të 50-vjeçarit. Pjesa më e madhe e sasisë u zbulua në një magazinë dhe në një apartament që përdorej nga të dyshuarit. Në këto ambiente, policia gjeti edhe pajisje që shërbenin për paketimin dhe shpërndarjen e drogës.
Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Lini një Përgjigje