Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në Itali, ku ka humbur jetën një shtetase shqiptare, 62-vjeçarja Merita Qemali. Ajo ishte duke udhëtuar me familjarët e saj kur ndodhi përplasja fatale.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Ford” me të cilin udhëtonin është përplasur me një kamion që lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të një defekti, konkretisht shpërthimit të një gome. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha në pjesën e përparme të makinës.
62-vjeçarja u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Në automjet ndodheshin edhe partneri i saj 49-vjeçar, djali 10-vjeçar dhe motra 47-vjeçare. Dy prej pasagjerëve mbetën të bllokuar në mjet dhe u nxorën nga shërbimet zjarrfikëse.
Drejtuesi i automjetit ndodhet në gjendje të rëndë pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa motra e viktimës është në gjendje kritike. Fëmija 10-vjeçar, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Lini një Përgjigje