Enri Hardolli, 28 vjeç, u ndalua nga Guardia Civil, pas lëshimit të një urdhri arresti nga autoritetet italiane.
Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge është arrestuar në Barcelonë të Spanjës, pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve italiane dhe spanjolle.
Enri Hardolli, 28 vjeç, u ndalua nga Guardia Civil, pas lëshimit të një urdhri arresti nga autoritetet italiane. Ai dyshohet si një nga furnizuesit kryesorë të një rrjeti shpërndarjeje kokaine që vepronte në zonën e Alta Padovana, në Itali.
Sipas hetimeve, Hardolli kishte arritur t’i shmangej drejtësisë duke u fshehur në Spanjë, por u identifikua pasi vijoi aktivitetin kriminal, duke furnizuar një shtetas italian me sasi të mëdha droge.
Karabinierët e Cittadella-s, nën drejtimin e prokurorit Benedetto Roberti, zbuluan rrjetin pas arrestimit të një shpërndarësi italian. Ky i fundit dyshohet se shiste kokainë tek klientë të ndryshëm, përfshirë edhe profesionistë.
Gjatë hetimeve u zbulua se furnizuesi kryesor ishte pikërisht Hardolli. Autoritetet rindërtuan lëvizjet e tij dhe zbuluan lidhjet familjare në Itali, konkretisht në Mestre dhe Spinea.
Një element kyç në hetim ishte ndjekja e babait të të dyshuarit, i cili, megjithëse mohonte kontaktet me të birin, rezultoi se udhëtonte shpesh drejt Spanjës. Kjo çoi në lokalizimin e 28-vjeçarit në Barcelonë.
Hardolli ishte përfshirë në hetime që në vitin 2022 nga Drejtoria Distriktuale Antimafia e Triestes dhe Guardia di Finanza e Venecias, pas sekuestrimit të një sasie prej katër tonësh kokaine.
Droga dyshohet se kishte origjinë nga Amerika e Jugut dhe u transportua me anije cargo drejt portit të Triestes. Një pjesë e operacionit u realizua përmes një agjenti të infiltruar, i cili dorëzoi 300 kilogramë kokainë për të ruajtur besueshmërinë e rrjetit kriminal.
Nga kjo sasi, vetëm një pjesë u sekuestrua, ndërsa një sasi e konsiderueshme mbetet e pagjetur.
Aktualisht, Hardolli ndodhet i paraburgosur në burgun e Montorio Veronese në Itali. Sipas hetimeve, aktiviteti i tij kriminal kishte vijuar të paktën deri në tetor 2023.
Ndërkohë, shtetasi italian i përfshirë në rrjet ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka pranuar dënimin.
Lini një Përgjigje