TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Qershor 2026, 08:05

Marrëveshje historike? SHBA shqyrton fond rekord 300 miliardë dollarësh për Iranin

Shkruar nga Pamfleti

Marrëveshje historike? SHBA shqyrton fond rekord 300 miliardë

Sipas raportimit, fondi do të financohej nga kompani private që synojnë të investojnë në Iran dhe jo nga qeveria amerikane. Zbatimi i planit kushtëzohet me respektimin e marrëveshjes nga Teherani.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton krijimin e një fondi investimesh me vlerë 300 miliardë dollarë për Iranin, me kusht që Teherani të respektojë marrëveshjen e arritur, veçanërisht në lidhje me hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ecurinë e negociatave bërthamore.

Sipas një raportimi të "Financial Times", ngritja e fondit do të varet nga një marrëveshje përfundimtare që përfshihet në memorandumin e mirëkuptimit. Kjo marrëveshje pritet të pasojë zgjatjen 60-ditore të armëpushimit, e cila, sipas raportit, do të nënshkruhet të premten në Zvicër.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga gazeta britanike, deklaroi se fondi, struktura dhe menaxhimi i të cilit mbeten ende të paqarta, do të financohet nga kompani që synojnë të investojnë në Iran, një vend me burime të konsiderueshme energjetike.

Sipas të njëjtit burim, interes për të marrë pjesë kanë shfaqur kompani nga Evropa dhe Azia, veçanërisht nga Koreja e Jugut dhe Japonia.

Shkalla e stimujve ekonomikë që Shtetet e Bashkuara kanë propozuar për Iranin mbetet një nga çështjet më të debatueshme në negociata. Ajo konsiderohet gjithashtu politikisht e ndjeshme për presidentin Trump, i cili nuk dëshiron të krijohet përshtypja se po shpërblen regjimin islamik të Iranit.

Kritikët e memorandumit kanë argumentuar se paketat ekonomike që po diskutohen janë dukshëm më të mëdha se ato që ishin miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.

Sipas kushteve të memorandumit, çdo lehtësim i sanksioneve, përfshirë lirimin e aseteve iraniane të bllokuara jashtë vendit, do të zbatohet gradualisht dhe do të lidhet me progresin e bisedimeve për programin bërthamor, si edhe me arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Megjithatë, zyrtarë të lartë të administratës Trump kanë bërë të ditur se Uashingtoni mund të ofrojë që në fazat e para disa masa të kufizuara lehtësuese ekonomike për të ndërtuar besimin mes palëve.

Ndërkohë, presidenti Trump hodhi poshtë raportimet se Shtetet e Bashkuara do t’i paguanin Iranit 300 milionë dollarë. Në një postim në platformën Truth Social, ai i cilësoi këto pretendime si “lajme të rreme”.

“Irani ra dakord të mos sigurojë kurrë armë bërthamore. Gjithashtu, pretendimi se SHBA po i paguan Iranit 300 milionë dollarë është fake news”, shkroi Trump, duke ia atribuar këto informacione kundërshtarëve demokratë.

Lini një Përgjigje