TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Prill 2026, 15:35

27 vite në arrati për gjakmarrje, arrestohen në Itali dy vëllezërit që vranë në '99

Shkruar nga Pamfleti

27 vite në arrati për gjakmarrje, arrestohen në Itali dy

Dy vëllezër shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh, janë arrestuar në Itali në kuadër të një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane. Bëhet fjalë për Artur dhe Arben Mehilli, të dënuar për vrasje dhe që prej më shumë se dy dekadash i kishin shpëtuar drejtësisë.

Arrestimi i tyre u mundësua falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale përmes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, si dhe përdorimit të teknologjisë biometrike “Facial Recognition”, e cila ndihmoi në zbulimin e identiteteve të tyre reale.

Në operacion u përfshinë strukturat e Policisë Kriminale, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Fierit, në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Pas kryerjes së krimit, dy vëllezërit u larguan drejt Italisë, ku jetuan për vite me identitete të falsifikuara. Artur Mehilli përdorte emrin Artur Davidhi, ndërsa Arben Mehilli ishte regjistruar si Arben Gjermeni, duke arritur të siguronin edhe leje qëndrimi.

Artur dhe Arben Mehilli ishin dënuar nga Gjykata e Lushnjës në vitin 2001 me një total prej 32 vitesh burg për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Ngjarja daton më 12 shtator 1999 në Lushnjë, ku ata ekzekutuan me armë zjarri shtetasin R.M., në një akt që sipas hetimeve lidhej me gjakmarrjen, pasi viktima kishte vrarë vëllanë e tyre në vitin 1997.

Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve, të cilët pritet të transferohen në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata.

"Kapen në Itali, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane, dy vëllezër të dënuar për vrasje.

Në vitin 1999, në Lushnjë, vranë me armë zjarri shtetasin që kishte vrarë vëllanë e tyre.

Vëllezërit, të dënuar me 32 vjet burgim, kishin siguruar leje qëndrimi në Itali duke përdorur identitete false.

Identifikimi i tyre është rezultat i përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës.

Në kuadër të operacioneve ndërkombëtare të njëpasnjëshme, të finalizuara si rezultat i bashkëpunimit dhe besueshmërisë së strukturave të Policisë së Shtetit ndaj homologëve dhe partnerëve evropianë, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, siguruan informacion për vendndodhjen në Itali, të dy vëllezërve të dënuar për vrasje.

Informacioni u shkëmbye mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me koordinimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit.

Si rezultat, u arrestuan në Itali shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç.

Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, konkretisht:

-shtetasin Artur Mehilli, me 15 vjet e 6 muaj burgim;
-shtetasin Arben Mehilli, me 16 vjet e 6 muaj burgim.

Më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy shtetasit vranë, për motive gjakmarrjeje, shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, shtetasin S. M.

Të arrestuarit, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false (shtetasi Artur Mehilli përdorte gjeneralitetet Artur Davidhi, ndërsa shtetasi Arben Mehilli përdorte gjeneralitetet Arben Gjermeni), nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali.

Identifikimi i tyre u mundësua si rezultat i një pune intensive, duke përdorur teknologjinë më të fundit të identifikimit biometrik “Facial Recognition”, nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit.

Vijon bashkëpunimi me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje